Dy shtetas të Kosovës, H.L. dhe T.M., janë arrestuar më 11 nëntor 2026, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.
Sipas dyshimeve, ata kanë keqpërdorur 62 mijë e 902 euro nga dy grante ndërkombëtare, me vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh. H.L. dhe T.M. dyshohet se kanë vepruar në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie.
Të lidhura
None found
Policia bën të ditur se nga granti i parë, prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet të jenë keqpërdorur 23 mijë euro. Të dyshuarit pretendohet se kanë raportuar në mënyrë të rreme se shpenzimet për blerjen e makinerive ishin kryer plotësisht.
I njëjti pretendim për raportim të rremë të shpenzimeve lidhet edhe me grantin e dytë, i cili kap vlerën e 282 mijë e 236 eurove. Nga ky grant dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro.
Gjatë hetimeve, sipas Policisë, janë identifikuar keqpërdorime të dyshuara që arrijnë gjithsej në 62 mijë e 902 euro.
Arrestimet u kryen në kuadër të hetimeve për një rast të datës 4 tetor 2026. Të dy personat u morën në pyetje në praninë e avokatëve mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, u ndaluan për 48 orë.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.








