Përparim diplomatik në Emirate, Ukraina kërkon garanci sigurie, Rusia këmbëngul në kërkesat territoriale, marrëveshje për shkëmbim në shkallë të gjerë të të burgosurve

Botë | 1 minutë më parë

Raundi i bisedimeve trepalëshe ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i mbajtur për dy ditë me radhë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka përfunduar me arritjen e një marrëveshjeje kryesore humanitare për një shkëmbim të ri të burgosurish në shkallë të gjerë. Megjithatë, përfaqësuesit e palëve ndërluftuese pranojnë se mbeten dallime të thella lidhur me çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë.

Kryenegociatori i Rusisë, Vladimir Medinsky, deklaroi se një marrëveshje paqeje mund të jetë më afër, por theksoi se e ardhmja e procesit varet nga të gjithë aktorët e përfshirë. Nuk munguan as mesazhet e prera nga pala ruse lidhur me pretendimet e saj.

“Unë padyshim mendoj kështu se marrëveshja e paqes është më afër,” tha Medinsky kur u pyet pas bisedimeve, duke shtuar se “për momentin, shumë varet nga të gjitha palët e përfshira në proces. Shumë varet nga Ukraina, nga qëndrimi i SHBA-së dhe nëse Evropa do të vijë në vete.”

Lidhur me pretendimet e Moskës, ai siguroi se “lidhur me çështjet territoriale, çdo centimetër i territorit tonë do t’i kthehet Rusisë. Në një mënyrë ose në një tjetër.”

Nga ana tjetër, delegacioni ukrainas e vlerësoi raundin si një prej më të vështirëve, por nënvizoi rolin përcaktues të ndërmjetësve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner në strukturimin e dialogut. Kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov dhe përfaqësuesi David Arakhamia konfirmuan se prioriteti kryesor mbetet ndërprerja e luftës dhe mbrojtja e sovranitetit.

“Mbeten dallime të konsiderueshme me Rusinë,” vlerësoi Rustem Umerov, duke saktësuar se “hapi i parë në këtë drejtim duhet të jetë ndërprerja e luftës dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ka ende shumë punë komplekse për t’u bërë, por ka mundësi për të vazhduar procesin e negociatave.”

Lidhur me dinamikën e bisedimeve brenda sallës, David Arakhamia vuri në dukje se delegacioni rus kishte mbërritur me udhëzime mjaft të rrepta, por ndërhyrja e diplomacisë amerikane ndihmoi në uljen e tensioneve.

“Mendoj se ky proces me të drejtë mund të quhet një nga më të vështirët. Besoj se rusët mbërritën me udhëzime jashtëzakonisht të rrepta dhe ishte shumë e vështirë të zbutej toni i diskutimit,” u shpreh Arakhamia. Ai shtoi se pala amerikane arriti ta strukturonte bisedën “duke filluar nga skenari i pasluftës për të dy vendet,” gjë që “hapi dialogun dhe ne filluam të punonim më produktivisht.”

Lidhur me marrëveshjen humanitare, ai theksoi se “ka të gjitha shenjat se do të jetë një shkëmbim vërtet në shkallë të gjerë, një nga më të mëdhenjtë, nëse jo më i madhi ndonjëherë.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi rëndësinë e bashkërendimit të hapave të mëtejshëm me aleatët ndërkombëtarë dhe njoftoi takime të menjëhershme me përfaqësuesit e Uashingtonit pas diplomacisë së tyre me Moskën.

“Së pari, u arrit një marrëveshje e rëndësishme humanitare në lidhje me përgatitjet për një shkëmbim të ri. Së dyti, palët diskutuan qëndrimet e tyre përkatëse për sigurimin e sigurisë. Përfaqësuesit amerikanë do të udhëtojnë në Rusi, dhe pas këtyre bisedimeve, ne do të koordinojmë përsëri qëndrimet tona. Ne do të takohemi me ta nesër në Dublin,” u shpreh Zelensky, duke nënvizuar se “prioriteti i Ukrainës është t’i japë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur me një paqe dinjitoze.”

Zhvillimet diplomatike pritet të intensifikohen me mbërritjen e delegacionit amerikan në kryeqytetin rus më 12 nëntor. Këshilltari presidencial rus, Yuri Ushakov, konfirmoi vizitën e dërguarve të SHBA-së.

“Ne ende nuk e dimë rezultatin e bisedimeve të Abu Dhabit. Por ato do të sjellin diçka,” tha Ushakov për gazetën Kommersant, duke konfirmuar se Steven Witkoff dhe Jared Kushner do të mbërrijnë në Moskë për të vazhduar diskutimet.

Bisedimet e Abu Dhabit u zhvilluan me praninë e ndërmjetësve të Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe me pjesëmarrjen e vëzhguesve nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, NATO dhe Komisioni Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme