GJKKO ka dënuar me 8 vite burg Zamir Hoxhën, i akuzuar për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në këtë grup.
Vendimi është dhënë sot, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Marinela Osmani dhe Besmir Stroka, pas përfundimit të gjykimit të zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Hoxha është deklaruar fajtor për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, për të cilën u dënua me 12 vite burgim.
Gjithashtu, ai u shpall fajtor për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, për të cilën u dënua me 2 vite burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, gjykata bashkoi dënimet në një dënim të vetëm prej 12 vitesh burgim.
Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi u reduktua me një të tretën, duke e dënuar përfundimisht Zamir Hoxhën me 8 vite burgim.
Gjykata vendosi gjithashtu që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa ekzekutimi i tij do të nisë nga dita e ekzekutimit të vendimit.













