Organizatat që mbështesin Ukrainën në Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Kongresit amerikan, të cilit i përfundon mandati së shpejti, të vendosë kufizime më të rrepta për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe të përshpejtojë ndihmën ushtarake për Kievin.
Ato paralajmëruan se vonesat mund ta dobësojnë pozitën e Ukrainës, në kohën kur kanë rifilluar kontaktet diplomatike me Moskën.
Kërkesat vijnë gjatë periudhës kalimtare të Kongresit amerikan, pas zgjedhjeve të nëntorit dhe para se ligjvënësit e rinj të marrin detyrën në janar.
Ukraina, ndërkohë, po përballet me një tjetër valë sulmesh ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike.
Pesë organizatat i paraqitën kërkesat në një letër, drejtuar udhëheqësve të komisioneve për Forcat e Armatosura në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, që mban datën 10 nëntor.
Ato kërkuan që këto masa të përfshihen në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2027 (NDAA), përmes të cilit Kongresi përcakton politikat e mbrojtjes së SHBA-së.
Letra, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, është nënshkruar nga organizatat “Razom for Ukraine”, “Nova Ukraine”, “Ukrainian Congress Committee of America (UCCA)”, “American Coalition for Ukraine” dhe “FDD Action”.
Nisma erdhi në kohën kur përfaqësuesit e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë zhvilluan më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi bisedime për përfundimin e luftës, nën ndërmjetësimin e Uashingtonit.
Ato ishin bisedimet e para trepalëshe që nga shkurti.
Organizatat kërkuan që Kongresi të mos e lejojë administratën e presidentit Donald Trump t’i lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë, pa miratimin e ligjvënësve amerikanë.
Ato kërkuan, gjithashtu, përshpejtimin e dërgimit të raketave për mbrojtje ajrore në Ukrainë dhe ndarjen e fondeve shtesë për mbrojtjen e infrastrukturës së saj energjetike.
“Kjo letër paraqet një mundësi të rëndësishme që mbështetja e Kongresit për Ukrainën të shndërrohet në masa konkrete ligjore, përpara përfundimit të mandatit të përbërjes së 119-të të Kongresit”, tha për Radion Evropa e Lirë Michael Sawkiw, president i UCCA-së.
Sanksionet dhe dërgesat e armëve
Një nga propozimet kryesore synon të kufizojë në 30 ditë vlefshmërinë e përjashtimeve presidenciale dhe licencave të përgjithshme, që lehtësojnë sanksionet ndaj Rusisë, përveç nëse Kongresi miraton zgjatjen e tyre.
Koalicioni argumentoi se rregullat ekzistuese i japin administratës amerikane shumë hapësirë për të lehtësuar kufizimet e vendosura ndaj Moskës.
Ai përmendi një urdhër ekzekutiv të 16 tetorit, përmes të cilit Trump pezulloi zbatimin e disa sanksioneve dhe tarifave kryesore të parashikuara me Ligjin Graham, të emërtuar sipas senatorit të ndjerë republikan, Lindsey Graham – mbështetës i njohur i Ukrainës.
Ligji, i nënshkruar në shtator, synonte të rriste presionin ekonomik ndaj Moskës, duke goditur sektorin e saj energjetik dhe vendet që blejnë naftë dhe gaz rus.
Organizatat kërkuan, gjithashtu, që aleatët evropianë ta kenë më të lehtë t’i transferojnë Ukrainës raketa interceptuese për mbrojtje ajrore, pjesë këmbimi dhe pajisje të tjera të prodhuara në SHBA, pa pasur nevojë të kërkojnë miratim të veçantë nga SHBA-ja për secilën dërgesë që përfshihet në këto masa.
Eugene Goncharov, drejtor për politika në “American Coalition for Ukraine”, tha se Pentagoni kishte refuzuar për rreth një muaj të autorizonte transferimin nga vendet evropiane të raketave interceptuese për sistemet Patriot, për të cilat Ukraina, sipas tij, ka nevojë urgjente për t’u mbrojtur nga sulmet e vazhdueshme raketore ruse.
Koalicioni kërkoi, gjithashtu, vazhdimin e financimit për Nismën për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën – një program i Pentagonit që financon pajisje ushtarake dhe mbështetje për Ukrainën – si dhe raportim mujor në Kongres për dërgesat e armëve.
Propozimet përfshijnë edhe dërgimin e raketave të premtuara interceptuese, brenda dhjetë ditësh nga momenti kur një seri e re prodhimi bëhet e disponueshme, ndarjen e një miliard dollarëve shtesë gjatë vitit fiskal 2027 për mbrojtjen dhe riparimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, si dhe transferimin e aseteve të ngrira ruse në një fond për mbështetjen e Ukrainës.
Grupet kërkuan edhe masa që do të parandalonin reduktimin e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës nga SHBA-ja dhe të mbështetjes për komunikimet satelitore, të cilat janë të rëndësishme për operacionet ushtarake të Ukrainës.
Hapësira për veprim politik po ngushtohet
Mykola Murskyj, këshilltar i lartë për politika dhe strategji në organizatën jofitimprurëse “Razom for Ukraine”, me seli në SHBA, e cila mbështet Kievin, tha se letra u dërgua pikërisht në këtë kohë, për të ndikuar në negociatat për projektligjin e mbrojtjes.
“Aktualisht, anëtarët e të dyja dhomave të Kongresit po zhvillojnë negociata për Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA)”, tha Murskyj për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se ligjvënësit duhet t’i ruajnë dispozitat në mbështetje të Ukrainës, të përfshira tashmë në versionin e miratuar nga Senati, si dhe t’i forcojnë kufizimet për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Lehtësimi i sanksioneve vetëm se e shpërblen Kremlinin. Nuk e nxit atë të ndryshojë sjellje, por e shpërblen për agresionin e tij”, tha Murskyj.
Kongresi amerikan nisi më 10 nëntor sesionin e tij përmbyllës, përpara ndryshimit të përbërjes në janar, kur demokratët pritet të marrin kontrollin e të dyja dhomave, pas fitoreve bindëse në zgjedhje, më 3 nëntor.
Përfaqësuesit e organizatave që mbështesin Ukrainën, thonë se javët e mbetura ofrojnë mundësi për të siguruar angazhime nga të dyja partitë, përpara se të mblidhet Kongresi i ri.
Ligjvënësit kërkojnë sqarime për vonesat e ndihmës
Veçmas, 32 ligjvënës republikanë dhe demokratë kërkuan shpjegime nga administrata Trump për vonesat në realizimin e ndihmës ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, të miratuar për vitin buxhetor 2026.
Në një letër drejtuar sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe drejtorit të Zyrës së Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Russell Vought, ligjvënësit thanë se administrata kishte pritur deri në ditët e fundit të vitit fiskal për t’i ndarë zyrtarisht fondet.
Sipas planit të shpenzimeve të Pentagonit, dërgesat mund të vazhdojnë deri në vitin fiskal 2029, duke ngritur shqetësime për aftësinë e Ukrainës që t’i sigurojë me kohë armët tashmë të autorizuara nga Kongresi.
Ligjvënësit paralajmëruan se vonesat dëmtojnë besueshmërinë e SHBA-së dhe aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Ata kërkuan një plan të hollësishëm për dërgesat, shpjegime se përse raketat interceptuese për sistemet Patriot thuhet se janë përjashtuar nga ndihma, si dhe garanci se ndihma e ardhshme do të ndahet pa vonesa.
Në mesin e nënshkruesve ishin senatorët republikanë: Thom Tillis, Chuck Grassley dhe Joni Ernst, si dhe senatorët demokratë: Dick Durbin, Mark Kelly dhe Adam Schiff.
Durbin, një nga udhëheqësit e demokratëve në Senat dhe bashkëkryetar i Grupit të Senatit për Ukrainën, bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes amerikane gjatë një fjalimi në Senat, më 10 nëntor.
“Mos hiqni dorë nga Ukraina”, tha ai, duke iu drejtuar përbërjes së ardhshme të Kongresit dhe presidentit Trump.
Durbin, i cili s’do të jetë në përbërjen e ardhshme, theksoi se Shtetet e Bashkuara “duhet të mbeten të palëkundura” në mbështetjen e aleatëve të tyre në NATO, duke paralajmëruar për pasojat që do të kishte braktisja e aleancës nga Uashingtoni, si për sigurinë amerikane, ashtu edhe atë të aleatëve. /REL













