Veliaj i shpall “luftë” Ramës, kërkon komision hetimor: Jam gati të dëshmij
Kryebashkiaku zbulon kërcënimet dhe sfidon kryeministrin të përballet me të
Erion Veliaj ka hapur një tjetër front përballë kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që pretendimet e tij për kërcënime dhe presione politike të hetohen nga Kuvendi. Kryebashkiaku i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Në qendër të kërkesës janë ndërhyrjet që Veliaj pretendon se janë bërë ndaj tij nga kryeministri, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Ai kërkon të verifikohet nëse transferimi nga paraburgimi në Durrës drejt Fierit dhe kushtet e qëndrimit në qeli janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
Në deklaratën e tij, Veliaj thotë se kërkon që këto pretendime të mos merren si të mirëqena, por t’i nënshtrohen një hetimi parlamentar.
“Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit”, deklaron ai.
Gati të dëshmojë nën betim, kërkon ballafaqim me Toni Gogun
Kryebashkiaku shprehet i gatshëm të paraqitet përpara Kuvendit dhe të dëshmojë nën betim për atë që pretendon se ka ndodhur. Ai kërkon gjithashtu një ballafaqim me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe që vetë kryeministri Rama të përballet me të njëjtin standard llogaridhënieje.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, shprehet Veliaj.
Ai argumenton se kërkesa i është drejtuar pikërisht shumicës socialiste, pasi sipas tij kontrolli parlamentar mbi qeverinë nuk duhet të ndikohet nga përkatësia politike e personave që duhet të japin llogari.
Veliaj bën me dije se për pretendimet e tij ka informuar edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ai ka kërkuar gjithashtu ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive që mund të lidhen me çështjen.
Një tjetër përplasje me drejtuesit e PS-së
Kjo është lëvizja e radhës e Veliajt në përplasjen politike me Edi Ramën dhe drejtuesit e Partisë Socialiste. Një ditë më parë, ai kërkoi të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e parashikuar të zhvillohet më 14 nëntor.
Kryebashkiaku iu drejtua sekretarit të përgjithshëm të partisë, Blendi Klosi, si dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar që t’i mundësohet pjesëmarrja fizike në mbledhje ose, në pamundësi, përmes videokonferencës.
Pas kërkesës drejtuar Klosit, Veliaj ka vënë tashmë në provë edhe Taulant Ballën, duke i kërkuar shumicës socialiste të mbështesë ngritjen e një komisioni hetimor për pretendimet e tij ndaj kryeministrit.
Mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do t’i japë rrugë kësaj kërkese dhe nëse Kuvendi do të përfshihet në shqyrtimin e akuzave të ngritura nga kryebashkiaku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



