Kombëtarja shqiptare kërkon të reagojë pas humbjes në Helsinki ndaj Finlandës. Në prag të sfidës së radhës në “Arenën Kombëtare”, para mediave kanë dalë mbrojtësi Ardian Ismajli dhe trajneri Rolando Maran, me futbollistin kuqezi që ka folur për objektivat e skuadrës, gabimet e ndeshjes së parë dhe ndryshimet në filozofinë e lojës.
Ismajli nuk e fshehu ambicien e Shqipërisë, duke theksuar se objektivi mbetet vendi i parë në grup. Sipas tij, kuqezinjtë kanë më shumë cilësi se kundërshtarët, por kjo duhet të dëshmohet në fushën e lojës.
“Jemi përgatitur shumë mirë dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Kemi si qëllim dhe detyrim vendin e parë. Jemi një skuadër me më shumë cilësi se të gjitha ekipet e tjera të grupit tonë, por këtë duhet ta tregojmë në fushë. Në ndeshjen e parë kemi luajtur shumë mirë, por episodet bëjnë të tyren dhe kështu ajo ndeshje shkoi siç shkoi”, u shpreh mbrojtësi.
Duke u ndalur te humbja në Finlandë, futbollisti shqiptar pranoi se goditjet standarde rezultuan vendimtare. Ai theksoi se skuadra duhet të jetë më e kujdesshme, veçanërisht në shmangien e faulleve pranë zonës, duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarëve në këtë aspekt.
“Në ndeshjen e parë pësuam dy gola nga dy goditje standarde. Ndonjëherë fati të kthen shpinën, pasi ne patëm rastet tona, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Duke pasur parasysh se kundërshtarët kanë goditës shumë të mirë, duhet të shmangim faullet në afërsi të zonës sonë”, deklaroi Ismajli.
Një tjetër temë e diskutuar ishte mbështetja e tifozëve shqiptarë. Mbrojtësi hodhi poshtë idenë se skuadra ndien presion kur luan në shtëpi, duke e konsideruar publikun si një faktor të rëndësishëm në rezultatet pozitive të arritura në “Arenën Kombëtare”.
“Nuk mund të them se djemtë kanë stres apo panik kur luajnë përpara tifozëve tanë. Ata janë lojtari i 12-të për ne dhe mund të themi se këtu kemi arritur gjithmonë rezultate shumë të mira. Edhe në ndeshjen ndaj San Marinos na mbështetën shumë dhe ne arritëm të fitonim. Ndonjëherë rëndësi ka fitorja, jo mënyra se si luan, dhe në atë ndeshje mbështetja e tifozëve na ndihmoi shumë”, theksoi ai.
Në fund, Ismajli foli edhe për ndryshimin e filozofisë së lojës mes ish-trajnerit Sylvinho dhe teknikut aktual Rolando Maran. Mbrojtësi u shpreh se futbolli modern kërkon më shumë iniciativë, presion ndaj kundërshtarit dhe lojë sulmuese, duke vlerësuar qasjen e trajnerit italian.
“Unë besoj se mbrojtja më e mirë është sulmi. Sylvinho ka praktikuar një futboll shumë mbrojtës dhe statik, por ky futboll nuk ekziston më. Futbolli modern është ai që po aplikon sot Maran, pasi duhet t’i bësh presion kundërshtarit për ta detyruar të gabojë. Ne kemi lojtarë që janë të aftë të luajnë një kundër një dhe kemi mundësitë për ta bërë këtë. Nëse qëndrojmë shumë prapa, gjithçka bëhet më e vështirë”, përfundoi Ismajli.
