Kosova nuk e ndal ritmin, ‘Dardanët’ zhvillojnë stërvitjen e tretë para duelit me Izraelin

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar të mërkurën përgatitjet për ndeshjen e rëndësishme kundër Izraelit, duke zhvilluar seancën e tretë stërvitore nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.
Atmosfera në kampin e 'Dardanëve' po vlerësohet pozitive, ndërsa futbollistët po punojnë me përkushtim në prag të dy përballjeve të fundit të këtij viti në kuadër të Ligës së Kombeve.
Pas përfundimit të stërvitjes, mbrojtësi Lindrit Kamberi dhe mesfushori Milot Avdyli janë shprehur të kënaqur me ecurinë e përgatitjeve, duke shfaqur optimizëm për një rezultat pozitiv në përballjen e së shtunës.
Kamberi është një prej tri prurjeve të reja në listën e Franco Fodës për këtë grumbullim, së bashku me Bleon Kurtulusin dhe Enis Rexhepin. Për këtë të fundit, ftesa përfaqëson një mundësi të veçantë, pasi është hera e parë që përfshihet në Kombëtaren A të Kosovës.
'Dardanët' do të përballen me Izraelin të shtunën, më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 15:00. Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për objektivat e Kosovës në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova renditet në pozitën e dytë me pesë pikë, aq sa ka edhe Republika e Irlandës, ndërsa Austria kryeson grupin me tetë pikë. Izraeli është në vendin e fundit me dy pikë.
Përzgjedhësi Franco Foda ka theksuar më herët se objektivi kryesor i Kosovës është të sigurojë qëndrimin në Ligën B, duke e cilësuar fitoren ndaj Izraelit si shumë të rëndësishme për këtë synim.
Pas duelit në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë edhe ndeshjen e fundit të këtij edicioni në udhëtim ndaj Republikës së Irlandës, më 17 nëntor, në Dublin./Telegrafi/







































