Spanja është përfshirë nga një grevë e përgjithshme, e para në 14 vitet e fundit, e organizuar nga sindikatat kryesore në shenjë proteste ndaj rritjes së çmimeve të banesave, qirave dhe kostos së jetesës.
Protestat kanë shkaktuar ndërprerje në transportin publik dhe shërbime të tjera, si dhe bllokime të disa akseve rrugore në Madrid dhe Katalonjë. Dhjetëra persona janë arrestuar, ndërsa janë raportuar edhe incidente ndaj zyrave të agjencive imobiliare.
Sindikatat e kanë cilësuar grevën një sukses, ndërsa organizatat e biznesit pretendojnë se pjesëmarrja ka qenë e ulët. Pakënaqësia lidhet kryesisht me vështirësitë për të përballuar qiratë, të cilat në Madrid kanë arritur mesatarisht në 1,170 euro për një apartament prej 50 metrash katrorë.
Greva ka marrë edhe ngjyrim politik, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 nëntorit. Kryeministri Pedro Sánchez ka mbështetur të drejtën e punëtorëve për protestë, ndërsa opozita e ka cilësuar mobilizimin si një veprim me motive elektorale.
Ndërkohë, sipas operatorit energjetik Red Eléctrica, konsumi i energjisë elektrike gjatë orëve të para të grevës ka rënë me 7.5%, duke reflektuar ndikimin e saj në aktivitetin ekonomik të vendit.
