Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës, ku do të takohen me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të çuar përpara negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Kushner, gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Vizita vjen pas dy ditësh bisedimesh mes përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe ukrainas në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa një marrëveshje konkrete.

“Steve dhe unë do të udhëtojmë nesër drejt Moskës për t'u takuar me presidentin Putin, për të diskutuar atë që u bisedua sot dhe për të tentuar të bëjmë më shumë përparim në disa prej çështjeve që diskutuam, pasi shohim disa mundësi dhe hapësira për përparim”, deklaroi Kushner.

Gjatë takimeve u diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën, çështjet humanitare dhe shkëmbimi i të burgosurve. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se palët kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme humanitare për një shkëmbim të ri të të burgosurve.

“Palët diskutuan pikëpamjet për garancitë e sigurisë dhe hapi i parë duhet të jetë përfundimi i kësaj lufte dhe garantimi i sigurisë së Ukrainës”, shkroi Zelensky në Telegram.

Megjithatë, mosmarrëveshjet për çështjet territoriale dhe kushtet e paqes mbeten të mëdha. Negociatori kryesor rus, Vladimir Medinsky, deklaroi se në disa çështje është arritur mirëkuptim, ndërsa në të tjera jo.

Ndërkohë, SHBA synon të përfshijë drejtpërdrejt edhe vendet evropiane në negociatat e ardhshme, një kërkesë e mbështetur prej kohësh nga Kievi, por e kundërshtuar nga Moska.

Pas takimit në Moskë, Kushner dhe Witkoff pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të takohen me presidentin ukrainas Zelensky për të diskutuar propozimet e dala nga bisedimet në Abu Dhabi.


Lajmi kryesor:

Lufta Ukrainë-Rusi, përfundojnë negociatat në Abu Dhabi! Kushner: Do të takojmë Putinin, pastaj Zelenskyn! Kallas nga Brukseli: Moska nuk dëshiron të negociojë seriozisht