Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon rreth 68 miliardë lekë investime kapitale në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi prioritetet buxhetore për vitin e ardhshëm gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Sipas ministrit, buxheti i përgjithshëm i institucionit për vitin 2027 arrin në 75.45 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 7.4 miliardë lekë janë parashikuar për shpenzime korrente, ndërsa 68 miliardë lekë do të shkojnë për investime kapitale në projekte infrastrukturore dhe energjetike.
Karakaçi bëri të ditur se financimi i brendshëm do të përbëjë 76% të buxhetit, ndërsa financimi i huaj do të mbulojë 24% të tij.
Në prezantimin e planit afatmesëm, ministri njoftoi se buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë parashikohet të jetë 73.7 miliardë lekë në vitin 2028 dhe 69.5 miliardë lekë në vitin 2029.
Ai vuri në dukje rëndësinë në rritje të financimit nga partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet e huaja financiare krijon mundësi për mbështetjen e projekteve strategjike.
“Një rol gjithnjë e më të rëndësishëm merr financimi i huaj, i cili rritet nga 15.26 miliardë lekë në vitin 2028 në 18.07 miliardë lekë në vitin 2029. Kjo dëshmon aftësinë që ka vendi për të mobilizuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe për ta kombinuar atë me burimet e buxhetit të shtetit në funksion të projekteve strategjike”, deklaroi Karakaçi.
Ministri theksoi se investimet e parashikuara synojnë të mbështesin zhvillimin ekonomik, përmirësimin e lidhjes infrastrukturore të territorit, rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Një ndër prioritetet kryesore mbetet transporti rrugor, ku financimi do të përqendrohet në zbatimin e projekteve strategjike të Korridorit VIII dhe Korridorit Blu. Këto akse konsiderohen të rëndësishme për forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me rrjetet evropiane të transportit.
Paralelisht, projektbuxheti parashikon fonde për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërhyrjet emergjente dhe investimet në sigurinë rrugore, me synim ruajtjen dhe përmirësimin e aseteve publike.
Përmes këtij financimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të vijojë realizimin e projekteve infrastrukturore dhe energjetike, të cilat konsiderohen pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe lidhjes së vendit me tregjet rajonale dhe evropiane.

