Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të Taulant Ballës kundrejt eurodeputetit Michael Gahler, duke dënuar gjuhën e përdorur ndaj tij.
Në një deklaratë publike, Bardhi thekson se Gahler, si kreu i Delegacionit të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri dhe koordinator i grupit parlamentar të EPP-së, përfaqëson një qëndrim që shkon përtej opinionit të tij personal.
Sipas Bardhit, apeli i eurodeputetit duhet të dëgjohet dhe të merret seriozisht, pasi reflekton edhe qëndrimin e shprehur në Rezolutën e Parlamentit Europian të vitit 2025.
Postimi i plotë
Dënoj me forcë gjuhën përçmuese të Taulant Ballës ndaj eurodeputetit Michael Gahler, kreut të Delegacionit të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri dhe koordinator i grupit parlamentar të EPP-së. Ky sulm është i papranueshëm dhe skandaloz.
Apeli i Michael Gahler duhet të dëgjohet dhe të merret seriozisht, pasi ai nuk përfaqëson një qëndrim personal, por reflekton edhe qëndrimin e shprehur në Rezolutën e Parlamentit Europian të vitit 2025.
Garantimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme, të barabarta dhe demokratike, si dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk është thjesht një kërkesë e partnerëve europianë. Ato janë një detyrim themelor i demokracisë dhe një kusht i domosdoshëm për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Askush nuk mund ta intimidojë apo ta delegjitimojë zërin e përfaqësuesve europianë që kërkojnë standarde demokratike dhe zgjedhje sipas parimeve dhe vlerave të Bashkimit Europian.