Një prej episodeve më të pazakonta dhe prekëse në historinë e formatit televiziv Big Brother është rikthyer në qendër të vëmendjes. Bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2002, gjatë edicionit të dytë të Big Brother Brasil, ku konkurrentja Cida Moraes përjetoi një moment që mbetet ende i paharruar për ndjekësit e këtij reality show.
Pamjet e vjetra, që po qarkullojnë sërish në rrjetet sociale, tregojnë Cidën teksa qëndron në kopshtin e shtëpisë, duke marrë rreze dielli. Papritur, ajo ngrihet e habitur dhe nis të pyesë se kush po e thërret në emër.
Më vonë, gjatë një bisede me banorët e tjerë, ajo tregoi se kishte dëgjuar zërin e motrës së saj, Gloria.
Detaji që e bën këtë histori edhe më tronditëse është se, pikërisht në ato momente, motra e saj kishte ndërruar jetë, ndërsa Cida nuk kishte asnjë dijeni për tragjedinë.
Në atë periudhë, konkurrentja ishte e izoluar plotësisht nga bota e jashtme, në përputhje me rregullat e formatit, dhe nuk kishte asnjë mundësi të merrte lajme nga familjarët.
Fillimisht, një prej banorëve u përpoq ta qetësonte, duke i thënë se ishte ai që e kishte thirrur. Megjithatë, përkonca kohore mes përjetimit të saj dhe ndarjes nga jeta të motrës do ta kthente këtë episod në një nga historitë më të komentuara të edicionit.
Pasi produksioni e njoftoi për humbjen e motrës, Cida vendosi të mos largohej nga gara dhe të vazhdonte qëndrimin në shtëpi, pavarësisht dhimbjes së madhe.
Ajo arriti deri në finalen e spektaklit, duke u renditur në vendin e tretë.
Më shumë se dy dekada më vonë, rikthimi i videos ka risjellë në vëmendje këtë histori, e cila vazhdon të prekë publikun. Përtej përputhjes së pazakontë të momenteve, ajo mbetet një dëshmi e një humbjeje të rëndë familjare, të përjetuar në rrethana krejtësisht të veçanta.

