Bajrami i kundërpërgjigjet Osmanit: Turistët politikë që kanë mbetur pa pushtet shpërndajnë mjegull
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ish-presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, pas kritikave që kjo e fundit adresoi ndaj pushtetit të vitit 2020 për mënyrën e ndarjes së fondeve për bizneset gjatë pandemisë COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami, ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Osmanin, ka kritikuar atë që e quajti “turistë politikë”, duke thënë se persona të tillë, pasi mbeten pa pushtet dhe pa dinjitet, shpërndajnë mjegull.
Bajrami ka thënë se gjatë debatit të zhvilluar në seancën e sotme të Kuvendit janë dëgjuar shumë të pavërteta, ndërsa ka theksuar se disa çështje lidhur me menaxhimin e fondeve gjatë pandemisë duhet të sqarohen.
Duke iu referuar vitit 2020, deputetja e LDK-së ka rikujtuar se Kosovën fillimisht e udhëhoqi qeveria e Albin Kurtit, nga 3 shkurti deri më 3 qershor, ndërsa më pas qeveria e Avdullah Hotit, e cila qëndroi në detyrë deri në mars të vitit 2021.
Ajo ka theksuar se gjatë pandemisë, kur ekonomia ishte pothuajse tërësisht e mbyllur, Qeveria kishte financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj dhe jo t'u kishte ndarë para pronarëve të bizneseve.
“Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk ju ka dhanë para ‘bosave të biznesit’”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, në realizimin e kësaj pakoje kishin qenë të angazhuar rreth dhjetë shërbyes civilë, përfshirë drejtorin e Thesarit dhe drejtorin e Buxhetit.
Bajrami ka sqaruar se kriter për përfitimin e mbështetjes ishte që punëtorët të figuronin në listat e pagave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për tre muajt paraprakë.
Ajo e ka cilësuar këtë skemë si një nga format më transparente të mbështetjes financiare të realizuara në historinë e Kosovës, ndërsa ka kritikuar politikanët që, sipas saj, ndryshojnë qëndrimet varësisht nga pozita që mbajnë.
Reagimi i Bajramit vjen pasi Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për atë që e cilësoi si zëvendësim të oligarkëve dhe “bosave të biznesit”.
Osmani kishte rikujtuar se edhe në vitin 2020 kishte qenë ndër zërat më kritikë ndaj ndarjes së fondeve për bizneset, ndërsa kishte akuzuar pushtetin aktual se kishte zëvendësuar oligarkët e dikurshëm me të tjerë.
“Ju veç i keni ndërru bosat e krimit, i keni ndërru oligarkët. Oligarkët i kanë kontrollu ata përpara, oligarkët fatkeqësisht po ju kontrollojnë edhe juve”, kishte deklaruar Osmani, duke iu drejtuar deputetëve të LVV-së.
Në fund të fjalës së saj, ish-presidentja u kishte bërë thirrje deputetëve që të lënë anash arsyetimet dhe të fillojnë punën për vendin.
“Bëjani Kosovës një nder. Fillojani me punu – boll më me arsyetime”, kishte thënë Osmani./Telegrafi.





























