Një grup me Gjermaninë, Slloveninë, Finlandën dhe Gjibraltarin e vendos Shqipërinë përballë një mundësie interesante në kualifikueset e EURO 2028. Kuqezinjtë mund të përfitojnë nga një short i favorshëm, por gjithçka nis me betejën për vendin e parë në Nations League.

Po sikur Shqipëria të përballej me Gjermaninë, Slloveninë, Finlandën dhe Gjibraltarin në rrugën drejt Kampionatit Europian 2028? Një skenar i tillë nuk është aspak i pamundur. Një simulim i shortit, i realizuar mbi bazën e rregullave dhe kufizimeve të UEFA-s, e ka vendosur Kombëtaren shqiptare në një grup që vlerësohet si “Kind Draw” (short i favorshëm).

Nga 10 mijë shortet e simuluara, vetëm 24% rezultojnë më të lehta për Shqipërinë, ndërsa rreth 76% paraqesin kundërshtarë më të fortë. Sipas përllogaritjeve të modelit, ky grup i jep kuqezinjve 0.24 pikë të pritshme më shumë për ndeshje krahasuar me një short mesatar.

Në këtë skenar, Gjermania është padyshim kundërshtari më i fortë, ndërsa beteja për vendin e dytë do të zhvillohej kryesisht mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Finlanda përbën gjithashtu një rival të rrezikshëm, por në letër është një kundërshtar i kapshëm. Gjibraltari, me vetëm 1022 pikë Elo, është ekipi më i dobët i të gjithë simulimit dhe një mundësi e mirë për të siguruar pikët e plota. Megjithatë, ky grup nuk është një parashikim, por vetëm një nga skenarët e mundshëm. Vendosja e Shqipërisë në Grupin J është rezultat i procedurës së shortit dhe i kufizimeve të përcaktuara nga UEFA.

Por çelësi për një pozicion më të mirë në short mund të jetë pikërisht në duart e Shqipërisë

Fitorja ndaj Finlandës në ndeshjen e radhës do ta çonte Kombëtaren në 12 pikë, por nuk do të siguronte ende matematikisht vendin e parë në grupin C1 të Nations League. Bjellorusia mund të arrijë në 13 pikë nëse fiton dy ndeshjet e mbetura. Kuqezinjtë do ta siguronin kreun nëse Bjellorusia nuk fiton ndaj San Marinos ose, në rast të kundërt, nëse Shqipëria nuk humbet në transfertën e fundit ndaj saj.

Përfundimi në vendin e parë ka rëndësi të veçantë: fituesit e grupeve të Ligës C pozicionohen në vazon e tretë për shortin e kualifikueseve, ndërsa vendet e dyta në vazon e katërt. Pra, fitorja ndaj Finlandës nuk e ndryshon automatikisht vazon, por do ta afronte ndjeshëm Shqipërinë me sigurimin e saj dhe do të shmangte rrezikun e një shorti më të vështirë.

Shorti real i kualifikueseve të EURO 2028 do të hidhet më 6 dhjetor në Belfast. Deri atëherë, Gjermania, Sllovenia, Finlanda dhe Gjibraltari mbeten vetëm kundërshtarët e një skenari që, të paktën në letër, Shqipërisë do t’i buzëqeshte.

Top Channel