Kane drejt rekordit historik me Anglinë: 100 gola është objektivi im i radhës

11 Nëntor 2026 | 18:45

Harry Kane është vetëm një ndeshje larg një tjetër momenti historik me Kombëtaren e Anglisë.

Sulmuesi i Bayern Munichut pritet të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e “Tre Luanëve”, kur të zbresë në fushë ndaj Kroacisë të enjten.

Kane do të regjistrojë paraqitjen e tij të 126-të me Anglinë, duke kaluar rekordin e gjatë të ish-portierit Peter Shilton, i cili që nga viti 1990 mbante shifrën prej 125 ndeshjesh.

Por për kapitenin anglez, ky nuk është fundi i rrugëtimit. Me 91 gola, Kane tashmë është golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë dhe ka vendosur objektivin e radhës: 100 gola me Kombëtaren.
“Nuk më pëlqen t’i vendos kufij vetes. 100 gola është një moment historik që dua ta arrij sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Kane e konsideron rekordin e paraqitjeve si një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij.

“Jam duke u ndier shumë mirë dhe shpresoj që të kem edhe shumë vite të tjera për të parë se çfarë mund të arrij.”

“Është dëshmi e gjithë përkushtimit dhe punës që njerëzit nuk e shohin, që më mban në formë dhe të shëndetshëm. Ky është një nga momentet më të mëdha në karrierën time.”

Sulmuesi 33-vjeçar po kalon një periudhë të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Në tetor ai u bë anglezi i parë pas 25 vitesh që fitoi Topin e Artë, ndërsa vazhdon të thyejë rekorde edhe në nivel klubesh.

Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë me 91 gola dhe mban gjithashtu rekordin e Tottenhamit me 280 gola. Që prej transferimit te Bayern Munichu në vitin 2023, Kane ka shënuar 156 gola për klubin gjerman dhe ka fituar titujt e Bundesligës në vitet 2025 dhe 2026.

Megjithatë, pavarësisht rekordeve individuale, Kane ende synon suksesin më të madh me Anglinë. “Tre Luanët” nuk kanë fituar një trofe të madh ndërkombëtar që nga Kupa e Botës në vitin 1966.

Tuchel: Kane i ka dëshmuar gjithçka me rekordet e tij

Trajneri Thomas Tuchel u pyet nëse Kane mund të konsiderohet futbollisti më i madh anglez i të gjitha kohërave, por gjermani preferoi të mos jepte një përgjigje përfundimtare.

“Nuk e di. Por ai është padyshim aty lart. Tani është e provuar. Është gjithmonë bukur kur gjërat provohen në sport.”

“Ai i ka çmimet dhe rekordet e tij. Do t’i zgjerojë këto rekorde, do të shënojë më shumë gola dhe do të luajë më shumë ndeshje.”

Tuchel konfirmoi gjithashtu se Kane do të jetë titullar dhe kapiten ndaj Kroacisë, në një mbrëmje të veçantë për sulmuesin anglez.

“Nesër ai do të startojë për ne si kapiten. Është një rast i madh që ta prezantojmë Topin e Artë para tifozëve tanë dhe, në të njëjtën ditë, të vendosë rekordin e tij të 126 paraqitjeve. Është një rast i bukur.”

Anglia përballet me Kroacinë të enjten në Wembley, në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa të dielën e mbyll fazën e grupeve me një përballje të madhe ndaj kampiones së botës, Spanjës, në Madrid.

Pas fitores së thellë 7:0 ndaj Kroacisë muajin e kaluar, Tuchel pret një kundërpërgjigje shumë më të fortë nga kroatët.
“Presim një reagim nga Kroacia dhe presim ta kalojmë këtë sfidë mendore.”

Për Kane, megjithatë, ndeshja ndaj Kroacisë do të mbetet historike edhe para se të dëgjohet fishkëllima e fundit: 126 ndeshje, një rekord i ri dhe objektivi i radhës tashmë i qartë – 100 gola me fanellën e Anglisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Elseid Hysaj arrin kuotën e 100 ndeshjeve me Kombëtaren, Duka i jep medaljen dhe kapelen simbolike të UEFA-s

Elseid Hysaj është vlerësuar për arritjen e 100 ndeshjeve me fanellën e Kombëtares shqiptare. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka dorëzuar...
18:26 | 11/11/2026

Maran dhe Ismajli: Gati për Finlandën, objektivi është vendi i parë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Ardian Ismajli kanë dalë në konferencën për mediat në prag të sfidës me Finlandën, që do të...
18:10 | 11/11/2026

Historiku i përballjeve direkte, statistikat në favor të Finlandës, Shqipëria kërkon 3 pikë

Emocionet kuqezi kanë nisur të ndihen për superndeshjen Shqipëri-Finlandën e vlefshme për grupin C1 të Ligës së Kombeve. Pas humbjes 2-1 në Helsinki, kuqezinjtë e...
14:26 | 11/11/2026