Hapja e bazave të të dhënave shtetërore për sektorin privat, Qeveria propozon ndryshime ligjore me garanci për mbrojtjen e të dhënave
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përgatitur një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 325 “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me qëllim krijimin e kuadrit ligjor për aksesin e kontrolluar të sektorit privat — veçanërisht bankave dhe institucioneve financiare — në të dhënat shtetërore. Akti i propozuar nga ministrja Delina Ibrahimaj synon të thjeshtojë procedurat për qytetarët dhe bizneset, duke eliminuar nevojën e dorëzimit të dokumenteve fizike.
Sipas relacionit shoqërues, ndryshimi ligjor vjen si domosdoshmëri pas pesëmbëdhjetë vitesh zbatimi të ligjit ekzistues, i cili normonte ndërveprimin vetëm brenda administratës publike.
“Qëllimi i projektligjit ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”’ është krijimi i bazës ligjore për aksesin e kontrolluar të personave fizikë dhe juridikë privatë në bazat e të dhënave shtetërore, në mënyrë që të dhënat që shteti disponon të mund të përdoren në shërbim të qytetarëve edhe jashtë marrëdhënies së tyre me administratën publike, me garanci të plota për mbrojtjen e të dhënave personale,” thuhet në relacionin e projektaktit.
Projektligji ndërton një regjim me dy nivele për hyrjen e sektorit privat në këto sisteme, duke vendosur kushte të rrepta aksesi për institucionet bankare dhe financiare që kanë detyrime ligjore për verifikimin e klientëve.
“Në nivelin e parë, projektligji u njeh shprehimisht personave fizikë dhe juridikë privatë të drejtën për të aksesuar bazat e të dhënave shtetërore, sipas nivelit të aksesit të përcaktuar në aktin e krijimit të secilës bazë. Në nivelin e dytë, projektligji krijon një regjim të veçantë dhe përjashtimor për aksesin e drejtpërdrejtë në të dhënat e bazës, i cili u njihet vetëm subjekteve që plotësojnë njëkohësisht katër kushte: ushtrojnë veprimtari bankare ose financiare, janë të licencuara ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta në interes të personave dhe kanë detyrim ligjor të përpunojnë këto të dhëna,” sqarohet në dokument.
Mbrojtja e të dhënave personale
Mbrojtja e të dhënave personale mbetet shtylla kryesore e nismës, ku çdo ndërveprim i sektorit privat me të dhënat e qytetarëve kushtëzohet nga miratimi i drejtpërdrejtë i vetë individit.
“Garancia kryesore është pëlqimi i subjektit të të dhënave. Kur të dhënat e kërkuara janë të dhëna personale, aksesi kryhet vetëm me pëlqimin e subjektit të të dhënave dhe vetëm për qëllimin e përcaktuar në pëlqim. Aksesi lejon vetëm thirrjen dhe leximin e të dhënave, pa të drejtë shtimi, ndryshimi ose fshirjeje të tyre në bazën e të dhënave shtetërore,” nënvizohet në argumentimin e projektligjit.
Për të parandaluar keqpërdorimet, projekt-akti forcon rolin kontrollues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si Autoritet Rregullator Koordinues dhe ashpërson ndjeshëm masat ndëshkuese administrative.
“Aksesi i paautorizuar, në kundërshtim me kushtet e ligjit, përfshirë aksesin në të dhëna përtej atyre për të cilat është dhënë pëlqimi, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 10 000 000 lekë,” përcaktohet në relacion, duke sqaruar se gjobat e mëparshme prej 10 000 deri në 100 000 lekë nuk kishin efekt parandalues për institucionet financiare.
Nisma ligjore përbën një paketë të vetme me ndryshimet në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohet se aksesi teknik do të realizohet përmes Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, ndërsa tarifat e aplikueshme për subjektet private do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.
Projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi infrastruktura teknike është ekzistuese dhe shpenzimet e lidhjes do të përballohen nga vetë subjektet private.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




