Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes meritës dhe zbatimit të reformave, duke përjashtuar çdo rrugë të privilegjuar drejt integrimit. Kjo mesazh u përcoll në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, gjatë vizitës treditore të Kurtit në Paris.
Në intervistë ai u ndal te procesi i integrimit evropian, situata e sigurisë në rajon dhe zhvillimet gjeopolitike, duke kërkuar mbështetjen e Francës për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e qëndrueshmërisë së Kosovës. “Pranimi në BE bazuar në meritë, jo përmes një dere të pasme”, ishte mesazhi kryesor që Kurti theksoi në bisedë me mediën franceze.
Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti u takua edhe me presidentin francez Emmanuel Macron. Në qendër të bisedimeve që të dy udhëheqësit zhvilluan ishin integrimi evropian i Kosovës, mbështetja franceze dhe projektet e rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike. Kryeministri kërkoi mbështetje për nisma që synojnë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e qëndrueshmërisë së shtetit.
Kurti foli gjithashtu për ndikimin e luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj në sigurinë evropiane, duke paralajmëruar rreziqet që sjell situata gjeopolitike e krijuar nga konflikti. “Agresioni rus kundër Ukrainës tregon se historia po kthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë më parë në këtë shekull”, u shpreh ai, duke lidhur këtë zhvillim me nevojën për vëmendje të shtuar ndaj sigurisë rajonale dhe evropiane.
Kryeministri theksoi se Kosova ndodhet në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, duke vënë në dukje se Serbia vijon të mos e njohë pavarësinë e saj dhe e konsideron territorin e Kosovës pjesë të vetin. Ky realitet, sipas Kurtit, mbetet një element kyç që ndikon në politikat e sigurisë dhe në rrugëtimin drejt integrimit evropian.
