Në emisionin ”Koha Jonë-Debat”, nga Nikoll Lesi, në pjesën e dytë janë të ftuar dy studentët protestus shumë të zëshëm, Redjan Shkëmbi dhe Irini Myftaraj, të cilët diskutuan mbi protestat, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe nevojën për një përfaqësim të ri politik në Shqipëri.
Gjatë debatit, Irini Myftaraj theksoi se ndryshimi i Kodit Zgjedhor është i domosdoshëm, ndërsa Shkëmbi bëri një deklaratë të fortë për marrëdhënien politike mes dy forcave kryesore në vend, duke u shprehur: “Berisha është paterica e Ramës”.
I pyetur nga Nikoll Lesi sesi mund të rrëzohen dy partitë kryesore, Shkëmbi deklaroi se aktualisht nuk janë krijuar kushtet për ngritjen e një formacioni të ri politik, por nuk përjashtoi një mundësi të tillë në të ardhmen. Nga ana e saj, Irini Myftaraj u shpreh se Shqipërisë i duhet një përfaqësi politike, por sipas saj, momenti për krijimin e saj nuk ka ardhur ende.
Pjesë nga biseda
Myftaraj: Duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor.
Lesi: Rama me Berishën i kanë votat, dhe nuk e ndryshon dot, me kë?
Shkëmbi: Berisha është paterica e Ramës.
Lesi: Po si do ti rrëzosh?
Shkëmbi: Ne momentalisht nuk kemi kushtet dhe as rrethanat për të bërë një formacion politik, ndoshta vjen në të ardhmen. Unë personalisht mendoj që duhet të dalë një formacion politik, jo nga figura të vjetra dhe të përlyera me llumin e politikës së vjetër. Një formacion politik ku populli ta gjejë veten, dhe shkojmë te vota. Por ne momentalisht kemi nevojë për masivitet, ne kemi nevojë për një zgjim të shoqërisë shqiptare dhe mendoj që pas këtyre protestave të 28-29 nëntorit, duhet të kemi një frymë bashkëpunimi me të gjithë njerëzit në shesh, pasi kjo nuk është protestë studentore, është populli dhe studentët.
Myftaraj: Duhet një përfaqësi politike, por ky nuk është momenti. Dhe diçka për PD, ne nuk e kemi me votuesit e PD-së, ne e kemi me kultin Sali Berisha që është krijuar, ne e kemi me figurat që janë aty, me deputetët e PD, sepse ata janë po njëlloj me PS-në. Nuk ka asnjë ndryshim, përveç se bëjnë aleanca bashkë. Deputetët e PD vijnë dhe bëjnë video, por duhet të vijnë si qytetarë, pse nuk i dorëzojnë mandatet? Ata thonë se na humbet e drejta për të qenë në Parlament për ne? Ku për ne? Sepse kartonin e ngre njëlloj.
Lesi: Kush do të jetë kandidati i protestës për bashkinë e Tiranës?
Myftaraj: Ne nuk mund të shkojmë me një listë, ne duhet të kemi një parti.
Lesi: Erdhët në atë që tha Redjani, që duhet të shkoni te fleta e votimit me X emër nga protesta.
