Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, kërkon një paraqitje ndryshe nga skuadra në përballjen me Finlandën në Ligën C të Ligës së Kombeve, me synimin për të marrë tri pikët dhe për të treguar më shumë në fazën sulmuese.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, italiani u ndal edhe te reagimi i kapitenit Berat Gjimshiti pas barazimit me San Marinon, kur ky i fundit kritikoi prirjen e disa lojtarëve për të vënë suksesin individual mbi atë të skuadrës. Sipas Maranit, mesazhi i kapitenit është kuptuar menjëherë nga grupi.
“Sinjali është marrë direkt nga skuadra. Ekipi e ndien përgjegjësinë dhe është i vetëdijshëm edhe për gabimet që mund të bëjë, por edhe për atë që duhet të përmirësojë”, u shpreh trajneri.
Maran theksoi se lojtarët kanë dëshirë të vazhdojnë përpara dhe të ruajnë vlerat e përfaqësueses, duke vlerësuar edhe mbështetjen e tifozëve që pritet të jenë të shumtë në stadium.
“Fakti që do të jenë kaq shumë tifozë tregon se ata besojnë te ne. Kam vënë re një dëshirë shumë të madhe te lojtarët për të vazhduar dhe për të ruajtur vlerat e kësaj skuadre. Ne përfaqësojmë diçka shumë të madhe, kombin”, deklaroi ai.
I pyetur për ambiciet e Finlandës, e cila ka ardhur në Shqipëri me synimin për të fituar dhe për të siguruar vendin e parë, Maran u shpreh se kuqezinjtë duhet të përqendrohen te loja e tyre dhe objektivat, pa u ndikuar nga deklaratat e kundërshtarëve.
Sa i përket strategjisë, trajneri bëri të qartë se Shqipëria do të kërkojë të shënojë, por edhe të ruajë portën të paprekur. Ai pranoi se paraqitja ndaj San Marinos ka ngritur pikëpyetje mbi punën e skuadrës, veçanërisht në aspektin ofensiv, ndërsa kujtoi se në ndeshjen e parë me Finlandën kuqezinjtë patën raste për të shënuar më shumë dhe për ta vendosur më herët fatin e takimit.
Tashmë, sipas Maranit, skuadra e di se çfarë duhet të përmirësojë dhe synon të japë një përgjigje bindëse në fushë, përballë tifozëve shqiptarë.

