Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Leeds në Angli, ku një 16-vjeçare ka humbur jetën pasi u qëllua disa herë me thikë nga një vajzë 18-vjeçare. Shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një marrëdhënie dashurie, pasi të dyja vajzat kishin pasur lidhje me të njëjtin djalë.

Viktima, Chloe Dransfield, dyshohet se është goditur pesë herë me thikë në shpinë dhe në qafë nga Kayla Smith, 18 vjeçe. Detajet e rënda janë bërë publike gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Leeds.

Sipas prokurorisë, përballja mes dy vajzave ishte organizuar paraprakisht, ndërsa në këtë ngjarje dyshohet se kanë pasur rol edhe Blake Dowling, 18 vjeç, dhe Archie Rycroft, 20 vjeç.

Dowling, i cili kishte qenë në një marrëdhënie me të dyja vajzat, akuzohet se e dërgoi Smith në vendin ku ndodhej Chloe, megjithëse ishte në dijeni të konfliktit mes tyre. Ndërkohë, pak minuta para ngjarjes, 18-vjeçarja dyshohet se kishte paralajmëruar persona të afërt se do ta godiste rivalen me thikë.

Prokurori Mark McKone bëri me dije se tensionet mes vajzave kishin nisur disa orë përpara vrasjes, përmes mesazheve dhe kërcënimeve të vazhdueshme. Gjatë një telefonate në FaceTime, Smith dyshohet se i kishte thënë 16-vjeçares: “Do të të ngul thikën në fyt”.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Smith u largua nga banesa rreth orës 05:10 të mëngjesit, e veshur me pizhame dhe me një objekt të shndritshëm në dorë, që sipas prokurorisë ishte thikë.

Në vendngjarje ndodhej edhe 20-vjeçari Archie Rycroft, i cili akuzohet se e ndoqi të renë dhe tentoi të filmonte përballjen. Prokuroria pretendon se ai e nxiti Smith të ushtronte dhunë dhe e mbështeti gjatë konfliktit.

Pas sulmit, të dy u kthyen në banesën e 18-vjeçares. Kur gjyshi i saj deklaroi se do të njoftonte policinë, Smith i tha se Chloe kishte vdekur. Ambulanca u thirr vetëm në orën 05:48, rreth 37 minuta pas sulmit.

Pavarësisht transportimit me urgjencë në spital, 16-vjeçarja nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë në orën 06:40.

Ndërkohë, Kayla Smith pranon se e ka goditur me thikë Chloe-n dhe se i ka shkaktuar plagën fatale, por mohon se kishte për qëllim ta vriste apo t’i shkaktonte dëmtime të rënda. Ajo është deklaruar fajtore për vrasje të paqëllimshme, ndërsa mohon akuzën e vrasjes.