Ylli televiziv Kylie Jenner po përballet me një padi nga ish-mirëmbajtësja Dinora Carolina Cabria Amaya, çështja e katërta e ngritur nga ish-punonjës të familjes brenda shtatë muajve. Amaya paraqiti padinë më 5 nëntor në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, duke akuzuar Jenner, kompanitë e saj dhe disa anëtarë të stafit për diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar, hakmarrje, pushim të padrejtë nga puna dhe shkelje të shumta të ligjit të punës.
Sipas padisë, Amaya nisi punë në mars 2025, duke marrë 40 dollarë në orë në dorë dhe punuar zakonisht gjashtë ditë në javë, por nuk paguhej për orët shtesë dhe detyrohej të udhëtonte mes pronave pa kompensim për kilometrat ose kohën. Ajo pretendon se mbeti e bllokuar për më shumë se një orë në garderobën e Jenner, pasi mbikëqyrësja Laura Dooley e udhëzoi të hynte me një kod hyrjeje dhe më pas, kur Amaya kërkoi ndihmë, Dooley “qeshi dhe u tall” me të. Amaya citon fjalët e mbikëqyrëses: “Askush nuk ndodhet në shtëpi që mund të të nxjerrë dhe unë nuk mund t’ia jap fjalëkalimin dikujt tjetër, kështu që thjesht duhet të presësh.”
Sipas padisë, në shtator 2025 gjatë pastrimit të një sirtari në lavanderi u aktivizua aksidentalisht një bombol gazi irritues që i shkaktoi probleme në sytë dhe fytyrën, ndërsa një muaj më vonë u kafshua nga një qen teksa pastronte një prej pronave. Amaya pretendon se raportoi dëmtimet, por nuk mori ndihmën e duhur dhe u detyrua të blinte ilaçe pa recetë. Ajo thotë se shpesh udhëzohej të largohej nga dhomat ose të qëndronte larg syve sepse Jenner nuk donte ta shihte, dhe u pushua më 6 shkurt pas qëndrimeve që vinin në pyetje rimbursimin për udhëtimet.
Avokatja e Amaya-s, Della Shaker, tha se rasti ngre pyetje mbi trajtimin e punonjësve shtëpiakë nga persona me pasuri të mëdha dhe shtoi: “E vërteta nuk duhet të varroset kurrë pas pasurisë, frikës apo heshtjes.” Përfaqësuesi ligjor i Jenner, Michael Rhodes, hodhi poshtë akuzat dhe akuzoi avokaten për përfitim nga publicity, duke premtuar mbrojtje të vendosur të çështjeve.
Këto padi vijnë pas tre padive të tjera këtë vit: Angelica Hernandez Vasquez (17 prill) për ngacmime dhe diskriminim për shkak të origjinës; Juana Delgado Soto (29 prill) për diskriminim, ngacmim dhe hakmarrje; dhe një ish-kuzhiniere e identifikuar si Jane Doe (22 qershor) që pretendon diskriminim për shkak të shtatzënisë dhe pushim të padrejtë, duke deklaruar se pësoi abort spontan. Të katër gratë përfaqësohen nga e njëjta avokate; disa padi përmendin të njëjtat kompani dhe mbikëqyrës. Të gjitha pretendimet mbeten akuza dhe ende nuk janë provuar në gjykatë.
