Gogu takon homologun italian: Në fokus forcimi i bashkëpunimit dypalësh në drejtësi dhe mbështetja për integrimin evropian
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dhe Ministri i Drejtësisë i Italisë, Carlo Nordio, zhvilluan sot në Romë një takim në fokus të të cilit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë dhe mbështetja e Italisë, si partner strategjik i Shqipërisë, në rrugën drejt integrimit evropian.
Italia është partneri kryesor i Shqipërisë në fushën e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale.
Gjatë takimit, Ministri Gogu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në procese të rëndësishme në fushën e drejtësisë, veçanërisht për ndihmën e dhënë në përgatitjen e paketës së ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe paketave të tjera legjislative. Ai vlerësoi rolin e Italisë si partner strategjik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të tjera në të ardhmen.
Nga ana e tij, Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, theksoi se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë janë aktualisht në nivelin e tyre më të lartë dhe shprehu angazhimin për të punuar në konsolidimin e mëtejshëm të raporteve mes dy vendeve.
Ministrat diskutuan gjithashtu bashkëpunimin për reformën e legjislacionit penal, trajnimin e Policisë së Burgjeve dhe bashkëpunimin ndërmjet Shkollave të Magjistraturës të dy vendeve, me pjesëmarrjen e Presidentit të Shkollës italiane, z. Mauro Paladini.




