Shqipëria në solidaritet me Francën pas sulmeve kibernetike, Hoxha: Europa të qëndrojë e bashkuar
Shqipëria ka shprehur solidaritetin e saj të plotë me Francën pas atribuimit të sulmeve të fundit kibernetike shkatërruese ndaj një njësie sulmuese kibernetike të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Përmes një reagimi në platformën X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se Shqipëria e njeh mirë këtë realitet, pasi vetë vendi ynë ka qenë objektiv i sulmeve të ngjashme.
“Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Francën pas atribuimit të sulmeve të fundit shkatërruese të paprecedentë kibernetike një njësie sulmuese kibernetike të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit”, shkroi ministri.
Duke kujtuar sulmet e vitit 2022 ndaj sistemeve shqiptare, ai nënvizoi se Shqipëria e kupton më së miri situatën me të cilën po përballet Franca.
“Në vitin 2022, vendi ynë ishte vetë shënjestër e operacioneve kibernetike brutale dhe shkatërruese, të cilat i atribuohen pa asnjë dyshim aktorëve shtetërorë iranianë”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shtetet nuk mund të konsiderohen si veprime të zakonshme dhe as të përdoren si instrument presioni pa pasoja.
“Sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shteti nuk mund të nënvlerësohen, tolerohen ose përdoren si mjet shtrëngimi pa pasoja për autorët e tyre”, theksoi ministri.
Në reagimin e tij, kreu i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se një sulm ndaj infrastrukturës kritike përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionimin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve.
“Një sulm ndaj infrastrukturës kritike është një sulm ndaj vetë funksionimit dhe sigurisë së një shoqërie, pavarësisht nëse kryhet duke përdorur eksplozivë apo kod të dëmshëm”, deklaroi ai.
Në përmbyllje, ministri bëri thirrje për një qëndrim të përbashkët europian përballë këtyre kërcënimeve.
“Evropa duhet të mbetet e bashkuar, të forcojë rezistencën e saj kolektive dhe të sigurojë që ata që janë përgjegjës për akte të tilla të mbahen përgjegjës”, përfundoi Hoxha në mesazhin e publikuar në platformën X.
L’Albanie exprime sa pleine solidarité avec la France à la suite de l’attribution des récentes #cyberattaques destructrices, d’une ampleur sans précédent, à une unité cyber offensive affiliée au Corps des gardiens de la révolution islamique d’Iran.
L’Albanie ne sait que trop…
— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) November 11, 2026
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



