Franca ka lëshuar sot fletëarreste ndërkombëtare për tre shtetas iranianë, të dyshuar për përfshirje në sulmin kibernetik të muajit të kaluar ndaj sistemeve të ftohjes së supermarketeve. Sulmi preku rreth 700 pika në të gjithë vendin, ku hakerat dyshohet se ndryshuan cilësimet e frigoriferëve, duke shkaktuar rritjen e temperaturave, prishjen e ushqimeve dhe të paktën 15 zjarre.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, ka bërë të ditur se hetimi është përqendruar te grupi i hakerave Shahid Kaveh, të cilin Ministria e Jashtme franceze e lidh me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Tre personat për të cilët janë kërkuar fletëarreste ndërkombëtare janë Hamid Reza Lashgarian, Mahdi Lashgarian dhe Reza Salarvand.

Sipas autoriteteve franceze, Hamid Reza Lashgarian drejton Qendrën Elektronike dhe Kibernetike të Gardës Revolucionare iraniane, ndërsa dy të tjerët identifikohen si komandantë të njësisë Shahid Kaveh. Hetuesit thonë se grupi vepronte përmes emrave të tjerë, përfshirë CyberAveng3rs dhe Cyber Isnaad Front. Ndër provat e mbledhura përmenden gjurmë të gjuhës persiane në infrastrukturën e sulmit dhe adresa interneti të lidhura me pajisje në Iran.

Prokuroria e Parisit po e heton ngjarjen si krim kibernetik të organizuar, të kryer në shërbim të interesave të një fuqie të huaj. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e ka cilësuar sulmin “të paprecedentë si në shkallë, ashtu edhe në nivelin e agresivitetit”.

Franca ka thirrur ambasadorin iranian dhe po kërkon sanksione evropiane ndaj personave përgjegjës. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit i hodhi poshtë më 10 nëntor akuzat, duke i cilësuar “të pabazuara dhe dashakeqe”. Teherani akuzoi Parisin se po përpiqet të largojë vëmendjen nga politikat e tij në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, ironizoi gjithashtu qeverinë franceze në rrjetet sociale, duke thënë se ajo nuk është në gjendje të menaxhojë frigoriferët dhe po ua hedh të tjerëve fajin për dështimet e veta.