Ka ndërruar jetë papritur në moshën 66-vjeçare ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Alexander Darchiev. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme ruse, e cila njoftoi vdekjen e diplomatit përmes një deklarate zyrtare.
“Udhëheqja dhe stafi i Ministrisë së Jashtme ruse njoftojnë me hidhërim të thellë se Alexander Nikitich Darchiev, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndërruar jetë papritur në moshën 66-vjeçare”, thuhet në njoftimin e diplomacisë ruse.
Autoritetet në Moskë nuk kanë dhënë detaje lidhur me shkakun apo rrethanat e vdekjes së tij.
Darchiev ishte emëruar ambasador i Rusisë në SHBA më 6 mars 2025 nga presidenti Vladimir Putin, duke pasuar në këtë detyrë Anatoly Antonov, i cili ishte larguar nga posti në fund të vitit 2024.
I lindur më 14 maj 1960 në Hungari, në një familje diplomatësh, Darchiev kreu studimet për histori në Universitetin Shtetëror të Moskës, ku u diplomua në vitin 1983. Ai zotëronte gjuhën angleze dhe franceze dhe iu bashkua Ministrisë së Jashtme ruse në vitin 1992, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Gjatë karrierës së tij diplomatike, ai mbajti disa poste të rëndësishme në diplomacinë ruse, kryesisht në Departamentin e Amerikës së Veriut. Nga viti 2005 deri në vitin 2010 shërbeu në Ambasadën ruse në Uashington, ndërsa nga tetori i vitit 2014 deri në janar 2021 ishte ambasador i Rusisë në Kanada.
Pas përfundimit të misionit diplomatik në Kanada, Darchiev drejtoi Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse.
Në shkurt të vitit 2025, ai drejtoi delegacionin rus në bisedimet me përfaqësuesit amerikanë në Stamboll, ku në fokus ishte rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe lehtësimi i kufizimeve ndaj ambasadave.
Emërimi i tij në krye të misionit diplomatik rus në Uashington u zyrtarizua më 6 mars 2025 nga presidenti Vladimir Putin.
