Bashkimi ka pësuar një tjetër humbje në FIBA Europe Cup, pasi është mposhtur në udhëtim nga skuadra letoneze Valmiera Glass me rezultat 85-77.

Skuadra prizrenase e nisi mirë takimin, duke treguar lojë të mirë në çerekun e parë, të cilin e fitoi me rezultat 16-10.


Megjithatë, vendasit reaguan në periudhën e dytë, ku arritën të përmbysin epërsinë e Bashkimit, duke triumfuar 27-19 dhe duke shkuar në pushim me avantazh minimal.

Valmiera vazhdoi me ritëm të mirë edhe pas pushimit, duke fituar çerekun e tretë me rezultat 23-18. Në periudhën e fundit, të dyja skuadrat zhvilluan një lojë më të barabartë, por vendasit sërish dolën fitues me rezultat 25-24, për ta mbyllur ndeshjen me tetë pikë epërsi.

Te Bashkimi, më i dalluari ishte Shannon Shorter me 17 pikë, ndërsa Gavin Kensmil kontribuoi me 14 pikë të tjera.

Në anën tjetër, Jake Heidbreder ishte basketbollisti më efikas i Valmierës, duke e përfunduar takimin me 19 pikë.

Kjo humbje e lë Bashkimin me nevojën për të reaguar në ndeshjen e ardhshme evropiane, ku do të ketë mundësinë të luajë para tifozëve të vet në Prizren.

Skuadra prizrenase do të përballet me Manchester Basketball, në një takim ku do të synojë rikthimin te fitoret në FIBA Europe Cup./Telegrafi/