Një urë e shkatërruar mbi lumin Dniepër, i cili shërben si kufi shtetëror midis Ukrainës dhe Bjellorusisë në rajonin e Çernihivit. Ukraina vazhdon të forcojë kufirin që ndan me aleatin e Moskës
Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar partnerët evropianë se pret që Rusia të nisë sulme të vazhdueshme ndaj urave të Ukrainës mbi lumin Dnipro, në përpjekje për ta ndarë vendin në dy pjesë.
Presidenti ukrainas e ngriti këtë shqetësim gjatë një bisede të zhvilluar së fundmi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas personave të informuar mbi bisedën, ai tha se Moska synon të izolojë gjysmën lindore të vendit, që kufizohet me Rusinë, nga gjysma perëndimore, që kufizohet me Bashkimin Evropian.
Në deklaratat e publikuara të hënën, Zelensky dhe von der Leyen thanë gjithashtu se kishin koordinuar qëndrimet përpara bisedimeve të paqes mes zyrtarëve të Kievit, Moskës, SHBA-së dhe BE-së, të planifikuara për të martën dhe të mërkurën në Abu Dhabi.
Zelensky e përsëriti paralajmërimin në fjalimin e tij të mbrëmjes të së hënës, duke thënë se me von der Leyen kishte diskutuar “në detaje sfidat që paraqet operacioni i Rusisë kundër urave dhe rrjetit tonë elektrik”.
Ai shtoi: “Rusia po përpiqet ta ndajë Ukrainën përgjatë lumit Dnipro dhe t’ua bëjë jetën sa më të vështirë njerëzve, qyteteve dhe fshatrave tona”.
Lumi Dnipro e përshkon Ukrainën nga veriu në jug, duke kaluar përmes Kievit dhe qyteteve juglindore Dnipro, Zaporizhzhia dhe Kherson, përpara se të derdhet në Detin e Zi. Në jug, rruga kryesore ujore e vendit përbën një vijë të natyrshme fronti mes forcave ukrainase dhe ruse.
Disa zona të Kievit kanë përjetuar ndërprerje të energjisë elektrike që kanë zgjatur me orë të tëra, si dhe bllokime të trafikut, duke vënë në dukje presionin në rritje mbi infrastrukturën energjetike, të transportit dhe atë kritike të Ukrainës. Kjo ndodh ndërsa Rusia po intensifikon më tej fushatën kundër rrjeteve civile dhe ushtarake të furnizimit të vendit.
“I tregova Ursulës për sfidat dhe ramë dakord që Bashkimi Evropian të aktivizojë një mekanizëm të posaçëm emergjence, për t’i siguruar shpejt Ukrainës financimin e nevojshëm për ato që i duhen më shumë në këtë moment”, tha Zelensky në një deklaratë të hënën.
“Për momentin, shumë prej qyteteve dhe komuniteteve tona po përballen me një situatë shumë të vështirë për sa i përket furnizimit me energji elektrike, ujë dhe ngrohje, për shkak të sulmeve ruse”, tha ai, duke shtuar se situata ishte “më e vështira në Kiev, në rajonet Dnipro, Sumy dhe Donetsk, si dhe në Kherson”.
Një zyrtar i lartë ukrainas tha se plani i sulmeve ruse nuk synon vetëm ta ndajë Ukrainën në dy pjesë, por edhe të ndërpresë shpërndarjen e energjisë elektrike nga perëndimi drejt lindjes së vendit, gjë që do t’i linte miliona njerëz pa energji në kulmin e dimrit.

Tym i zi i dendur ngrihet mbi një urë që kalon lumin Dniepër
Von der Leyen deklaroi të hënën se kishte “përsëritur mbështetjen time për thirrjen e [Zelenskyt] për një armëpushim që të përfshijë infrastrukturën ushqimore dhe energjetike”, përpara raundit të parë të bisedimeve trepalëshe të paqes mes Kievit, Rusisë dhe SHBA-së, që nis të martën në Abu Dhabi. Bisedimet ishin pezulluar që nga fundi i shkurtit, kur administrata Trump nisi luftën kundër Iranit.
Që prej tetorit, Rusia ka shtuar gjithnjë e më shumë sulmet ndaj urave të Ukrainës mbi lumin Dnipro, si pjesë e fushatës ajrore kundër infrastrukturës kritike përpara dimrit. Moska shpreson që në këtë mënyrë të thyejë vendosmërinë e Kievit dhe ta detyrojë atë të kapitulllojë.
Sipas personave të informuar mbi qëndrimin e presidentit rus, Vladimir Putin i konsideron këto sulme si hakmarrje për fushatën e vetë Ukrainës kundër infrastrukturës energjetike dhe logjistike të Rusisë.
Disa raketa balistike ruse dhe dronë me motor reaktiv kanë goditur urat e Veriut dhe të Jugut në Kiev, duke dëmtuar pilat dhe duke krijuar kratere në asfalt. Dëmtimi qoftë edhe i një ure të vetme mund të pengojë furnizimet civile dhe ushtarake, si dhe të vështirësojë lëvizjen e shërbimeve të emergjencës. Një sulm të shtunën paralizoi një pjesë të madhe të kryeqytetit ukrainas, duke shkaktuar bllokime trafiku dhe duke i detyruar njerëzit të lëviznin në këmbë në vend që të përdornin automjetet.
Për afro 4 milionë banorët e Kievit, ekzistojnë vetëm tetë ura që lidhin brigjet lindore dhe perëndimore të kryeqytetit. Ato përdoren nga udhëtarët dhe këmbësorët, si dhe nga kamionët dhe automjetet e tjera që mbajnë në lëvizje vendin.
Kalimi i radhës mbi Dnipro, në veri të kryeqytetit, është Hidrocentrali i Kievit, i cili shërben edhe si urë dhe ndodhet rreth 16 kilometra larg Urës së Veriut. Në drejtimin e kundërt, kalimi më i afërt është Hidrocentrali i Kanivit, rreth 130 kilometra larg Urës së Jugut. Përtej kësaj zone, ekzistojnë vetëm disa ura të tjera të kalueshme që lidhin lindjen me perëndimin e Ukrainës.
Analistët thonë se çdo urë që do të bëhej e pakalueshme si pasojë e sulmeve ruse do të ndërlikonte logjistikën ushtarake të Ukrainës, ndërsa fronti i luftës është përqendruar në gjysmën lindore të vendit.
“Sulmet e vazhdueshme ndaj urave mbi Dnipro do të ndikonin në qarkullimin e municioneve, karburantit dhe përforcimeve nga perëndimi drejt lindjes së Ukrainës, duke e kufizuar atë në një numër të vogël pikash kalimi”, tha Franz-Stefan Gady, analist ushtarak me bazë në Vjenë.
“Meqenëse pajisjet e rënda dhe sasitë e mëdha të municioneve transportohen kryesisht me tren, shkatërrimi i urave hekurudhore do ta vështirësonte zhvendosjen e shpejtë të rezervave ushtarake të Ukrainës drejt sektorëve të kërcënuar të frontit”.
Megjithatë, sipas tij, Rusia nuk ka gjasa ta ndërpresë plotësisht lidhjen me Ukrainën lindore.
“Por as nuk ka nevojë ta bëjë këtë: synimi këtu është të krijojë pengesa dhe të konsumojë gradualisht kapacitetet e Ukrainës. Pyetjet kryesore janë se për sa kohë mund ta vazhdojë Moska fushatën e sulmeve dhe si do t’i shpërndajë Ukraina sistemet e saj tashmë të pakta të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur pikat e kalimit”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko, vëzhgon dëmet e shkaktuara në një urë mbi lumin Dniepër nga një sulm ajror rus
Michael Kofman, studiues i lartë në Carnegie Endowment for International Peace, tha se në të kaluarën sulmet ruse ndaj urave kishin qenë sporadike dhe se “do të nevojitej një fushatë e koordinuar sulmesh për të ndërprerë trafikun mbi urat e Dnipros”.
“Edhe në atë rast, Ukraina mund të ndërtojë ura ponton”, shtoi ai.
Autoritetet e Kievit e kanë hedhur tashmë si ide ndërtimin e urave ponton për të lehtësuar trafikun civil, por deri më tani nuk është vendosur asnjë e tillë.
Ukraina ka hasur vështirësi në mbrojtjen e urave dhe infrastrukturës tjetër kritike për shkak të mungesës së raketave interceptuese Patriot. Këto raketa të prodhimit amerikan janë i vetmi municion në arsenalin e Kievit që mund të rrëzojë në mënyrë të besueshme raketat balistike ruse. Mungesat globale, si pasojë e luftës së SHBA-së në Iran, kanë bërë që Uashingtoni dhe aleatët evropianë të Ukrainës të ngurrojnë të pakësojnë rezervat e tyre.
Situata është rënduar edhe më tej për Kievin. Serhiy Beskrestnov, këshilltar i Zelenskyt, tha se raketat balistike ruse po godasin urat me saktësi më të madhe, falë një sistemi të ri dhe të sofistikuar drejtimi, të prodhuar së fundmi, i cili u mundëson atyre të shmangin pajisjet ukrainase që bllokojnë sinjalet e navigimit.
Ai shkroi në Telegram: “Ndërsa koka luftarake zbret, ajo kryen një skanim radar të terrenit për disa sekonda dhe më pas korrigjimi i marrë i transmetohet sistemit të drejtimit të raketës”.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit, refuzoi të komentonte pretendimet e Ukrainës.
“Ne po presim bisedimet e nesërme dhe po vazhdojmë operacionin special ushtarak”, tha ai për Financial Times, duke përdorur termin me të cilin Rusia i referohet pushtimit të Ukrainës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT