Zbulohen 43 armë automatike në Kosovë, arrestohet një gjerman/ Dogana tregon rolin e skanerit të siguruar nga SHBA-ja Përplasjet rreth sistemit të ri të evidentimit të vijueshmërisë me QR Code në Universitetin e Prishtinës po vazhdojnë.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë paralajmërojnë se do ta vazhdojnë bojkotin, ndërsa në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen, mund të organizojnë edhe protesta paqësore.
Bojkoti i ligjëratave dhe ushtrimeve nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë ka nisur sot, si shenjë kundërshtimi ndaj sistemit të ri të evidentimit të vijueshmërisë përmes QR Code-it.
Pas takimit me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, kryetari i Këshillit të Studentëve, Dion Bajrami, bëri të ditur se shqetësimi kryesor i studentëve lidhet me mënyrën e funksionimit të këtij sistemi, të cilin e konsiderojnë të papranueshëm.
Sipas tij, Fakulteti i Mjekësisë përballet edhe me probleme të tjera në organizimin dhe cilësinë e procesit mësimor, ndërsa imponimi i një sistemi të ri, pa u adresuar vështirësitë ekzistuese, vetëm sa mund t’i shtojë problemet.
Bajrami paralajmëroi se nëse Rektorati nuk i merr parasysh kërkesat e studentëve, protesta paqësore mund të mbahen para Rektoratit dhe Dekanatit.
Nga ana tjetër, prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore, Majlinda Gjelaj, tha se shqetësimet e studentëve lidhur me funksionimin teknik të sistemit do të trajtohen me seriozitet.
Ajo përmendi si disa nga vështirësitë e ngritura nevojën për posedimin e një telefoni personal, problemet e mundshme me baterinë dhe mungesën e qasjes në internet gjatë procesit të skanimit të QR Code-it.
Gjelaj gjithashtu u bëri thirrje profesorëve që të mos përdorin kërcënimin me ndëshkimin pas tri mungesave, duke theksuar se një masë e tillë nuk është e përcaktuar në ndonjë akt ligjor, statut apo rregullore të universitetit.
Ajo paralajmëroi se ky qëndrim do t’u përcillet të gjithë anëtarëve të stafit akademik, me qëllim që të ketë më shumë fleksibilitet në këtë aspekt.
Pavarësisht takimit me drejtuesit e universitetit, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e situatës.
Top Channel