Katër vajzave të mitura, ndaj të cilave u zhvillua procedurë për dhunën ndaj një vajze 13-vjeçare në Gjorçe Petrov, u është shqiptuar masa e dërgimit në shtëpi edukativo-përmirësuese.

Nga Gjykata Themelore Penale në Shkup bëjnë të ditur se dy prej tyre do të dërgohen për nga një vit, ndërsa dy të tjerat për nga tetë muaj.


“Sa i përket rastit të dhunës ndaj të miturës nga Gjorçe Petrovi, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për fëmijë të mitur dhe se procedura është e fshehtë, mund t’ju konfirmoj se çështja ka përfunduar në shkallë të parë dhe atyre u është shqiptuar masa edukative institucionale – dërgim në shtëpi edukative, përkatësisht një vit për dy fëmijë dhe tetë muaj për dy të tjerët”, informojnë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Vendimi ende nuk është i formës së prerë dhe aktualisht është në fazën e hartimit me shkrim, pas së cilës do t’u dorëzohet palëve.
Rasti i dhunës mes bashkëmoshatarëve në Gjorçe Petrov, në mars të këtij viti, shkaktoi reagime të shumta në opinion. Një pjesë e dhunës ishte filmuar edhe me telefona celularë dhe më pas ishte shpërndarë në rrjetet sociale.

Kundër katër vajzave të mitura paraprakisht ishin ngritur kallëzime penale për dhunë, ndërsa procedura ishte zhvilluar në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijët.