Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pas alarmit për bomba që përfshiu rreth 6 mijë shkolla në të gjithë Italinë, duke shkaktuar evakuimin e nxënësve dhe shqetësim te prindërit dhe stafi arsimor.
Pas mbledhjes urgjente në Palazzo Chigi, Meloni deklaroi se kontrollet e kryera nga autoritetet nuk kanë zbuluar deri më tani ndonjë rrezik konkret.
“Nuk do të lejojmë që një email anonim të vendosë për kalendarin shkollor të fëmijëve tanë”, theksoi kryeministrja italiane.
Sipas informacioneve alarmet kanë ardhur përmes një emaili të nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov”, i njëjti emër që është përdorur edhe në kërcënime të tjera të dërguara më parë ndaj disa redaksive të mediave evropiane.
Pas situatës së krijuar, Meloni thirri një mbledhje urgjente në selinë e qeverisë italiane, e cila zgjati rreth një orë e gjysmë, nga ora 16:00 deri në 17:30.
Në takim morën pjesë zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto, nënsekretari Alfredo Mantovano, si dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike.
Ndërkohë, ministri i Arsimit Giuseppe Valditara bëri thirrje për të shmangur panikun, duke theksuar se nuk duhet të krijohet alarm i panevojshëm.
Meloni ka vendosur gjithashtu të zhvillojë një takim me drejtuesit e partive opozitare, i cili është parashikuar për nesër në orën 08:30 në Palazzo Chigi.
Në fokus të diskutimeve do të jenë alarmet e rreme për bomba në shkolla, aktivitetet e hakerave dhe situata e përgjithshme e sigurisë në vend.
Qëllimi i takimit është shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi përballë kërcënimeve të regjistruara gjatë ditëve të fundit.
Autoritetet italiane po vijojnë verifikimet për të zbardhur origjinën e mesazheve kërcënuese dhe për të identifikuar personat përgjegjës./ Alba Kepi/
© SYRI.net