Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar thirrjen në SPAK të deputetes socialiste Sara Mila, duke deklaruar se emri i saj është lidhur me dyshime për krim zgjedhor gjatë fushatës elektorale në Elbasan.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Boçi u shpreh se Mila është përfshirë në debatet për manipulimin e zgjedhjeve për shkak të zhvillimeve gjatë fushatës dhe rezultatit të marrë në këtë qark. Sipas tij, bëhet fjalë për disa indicie që kanë ngritur pikëpyetje dhe që, në vlerësimin e tij, nuk mund të konsiderohen rastësi.

“Askush nuk do të merrej me Sarën si deputete e re. Por Sara, do apo nuk do, është e lidhur me krimin zgjedhor në mënyrë organike, nga ajo që ka ndodhur në Elbasan përgjatë fushatës elektorale dhe indicie të tjera, përfshirë edhe rezultatin që ishte përtej një normaliteti kandidimi që mund të merrte edhe një eksponent shumë i njohur i PS-së”, deklaroi Boçi.

Deputeti demokrat shtoi se zhvillimet e kanë kthyer deputeten socialiste në një figurë të përmendur në akuzat për krim zgjedhor, ndërsa thirrjen e saj në SPAK e konsideroi një zhvillim që lidhet me dyshimet e ngritura më herët.

“Nuk është krejt rastësi. Një telefonatë, një mesazh, këto janë të dhëna që janë marrë”, u shpreh ai.

Boçi theksoi se Partia Demokratike nuk ka informacion të drejtpërdrejtë nga SPAK për hetimin dhe se nuk dihet se nga ka nisur çështja apo cilat janë burimet e informacionit të prokurorisë.

Megjithatë, ai pretendoi se Sara Mila është në hetim, edhe pse SPAK mund të mos e ketë bërë publike një gjë të tillë, për arsye që lidhen me ecurinë dhe metodologjinë e hetimeve.

Sipas tij, prokurorët mund të jenë në fazën e mbledhjes së materialeve, analizimit të komunikimeve dhe verifikimit të lidhjeve mes personave të ndryshëm dhe ngjarjeve të caktuara.

“PD nuk ka informacione nga SPAK. Thonë se çështja është në hetim. Specifikohet çështja dhe dilet në konkluzion. E vërteta është se Sara Mila është në hetim, edhe pse SPAK mund të mos e artikulojë një gjë të tillë, ndoshta edhe për mënyrën si drejtojnë hetimet dhe për arsye hetimore”, deklaroi Boçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb