Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin të Irlandës, ku është i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), në një takim me ekspertë të çështjeve europiane dhe të Ballkanit, si dhe diplomatë. Në qendër të diskutimit është rrugëtimi europian i Shqipërisë, me temën “Nga aspirata te integrimi”, ku Rama pritet të trajtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, objektivat e vendit dhe sfidat që shoqërojnë këtë rrugë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri e cilësoi objektivin e vitit 2027 si ambicioz, por i mundur, ndërsa u ndal te ideja e integrimit gradual në Bashkimin Europian, si një proces që mund t'u mundësojë vendeve kandidate të afrohen më konkretisht me strukturat dhe politikat europiane përpara anëtarësimit të plotë.