Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë më 11 nëntor, në moshën 66-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Jashtme ruse, e cila nuk dha detaje mbi shkaqet apo rrethanat e vdekjes së diplomatit.
Në një deklaratë zyrtare, diplomacia ruse e cilësoi Darchievin si një diplomat të shquar, drejtues me përvojë dhe njohës të specializuar të çështjeve amerikane.
“Ne kemi humbur një diplomat të jashtëzakonshëm, një drejtues me përvojë, një koleg të dashur dhe një mentor”, thuhet në deklaratë, ku shprehen gjithashtu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.
Darchiev ishte emëruar ambasador në Uashington në mars të vitit 2025 nga presidenti rus, Vladimir Putin, duke zëvendësuar Anatoly Antonov. Ai mori drejtimin e misionit diplomatik në një periudhë kur Moska dhe Uashingtoni po përpiqeshin të rikthenin komunikimin dhe të përmirësonin marrëdhëniet pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Diplomati kishte një karrierë të gjatë në shërbimin e jashtëm rus dhe përvojë të gjerë në marrëdhëniet me Amerikën e Veriut. Ai kishte shërbyer më parë në ambasadën ruse në Uashington dhe në disa poste drejtuese në Ministrinë e Jashtme.
Nga viti 2014 deri në vitin 2021, Darchiev ishte ambasador i Rusisë në Kanada. Pas përfundimit të kësaj detyre, drejtoi Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse, përpara se të emërohej në krye të ambasadës në SHBA.
Gjatë karrierës së tij, ai ishte shprehur kritik ndaj politikave perëndimore dhe ishte përfshirë në përpjekjet diplomatike për rivendosjen e kontakteve mes Moskës dhe Uashingtonit.
Vdekja e tij ndodh në një moment tensionesh të vazhdueshme ndërkombëtare, kur dy fuqitë po përpiqen të gjejnë hapësira për dialog, pas përkeqësimit të ndjeshëm të marrëdhënieve që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë deri tani asnjë informacion mbi shkakun e vdekjes së ambasadorit.

