Gjashtë në 10 persona pranojnë se kanë të paktën një sekret financiar, ndërsa 11% mbajnë një llogari bankare të fshehtë nga partneri ose partnerja, sipas një studimi të ri me 2000 pjesëmarrës.

Anketa, e kryer nga Talker Research për TD Bank U.S., zbuloi se 21% fshehin historinë e keqe të kreditit, 16% borxhet e konsiderueshme nga kartat e kreditit dhe 14% zakonet e lojërave të fatit. Ndërkohë, 30% kanë fshehur një blerje ose vendim financiar nga bashkëshorti, partneri apo një familjar.

Paratë duket se ndikojnë ndjeshëm edhe në zgjedhjen e partnerit. Rreth 72% e amerikanëve e konsiderojnë stabilitetin financiar një kriter të rëndësishëm në një lidhje serioze, ndërsa 46% thonë se borxhet dhe zakonet financiare të dikujt mund të ndikojnë në vendimin për të nisur një marrëdhënie me të. Ky shqetësim është më i përhapur te brezat e rinj.

Gjashtë në 10 persona fshehin para nga partnerët

Për bashkimin e financave, 30% mendojnë se çiftet duhet ta bëjnë këtë pas martesës, ndërsa 13% pas fillimit të bashkëjetesës. Po aq të anketuar besojnë se paratë duhet të mbahen gjithmonë të ndara. Gjithashtu, 54% do ta konsideronin nënshkrimin e një marrëveshjeje paramartesore.

Studimi nxori në pah edhe varësinë e shumë amerikanëve nga ndihma financiare e familjarëve. Plot 67% kanë marrë mbështetje ekonomike nga të afërmit për shpenzimet e përditshme, faturat e papritura, borxhet apo strehimin. Shuma mesatare e përfituar që nga pavarësia ekonomike ishte 12 252 dollarë.

Nga ana tjetër, 71% thanë se edhe vetë kishin ndihmuar financiarisht familjarë ose njerëz të afërt.

Sipas përfaqësuesve të TD Bank, rezultatet tregojnë se financat ndikojnë jo vetëm në mirëqenien ekonomike, por edhe në besimin dhe marrëdhëniet mes njerëzve. Komunikimi i hapur dhe planifikimi financiar mund të ndihmojnë çiftet të shmangin konfliktet dhe të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme.