Shkëmbinj gjigantë shemben në rrugën drejt Kosovës, bllokohet qarkullimi pranë doganës së Morinës

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 11.11.2026, 22:44

Një situatë e rrezikshme është regjistruar në aksin rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, pranë doganës së Morinës, ku masive shkëmbinjsh kanë rënë në mes të rrugës duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë gurë dhe shkëmbinj me përmasa të mëdha të shembur nga shpati, të cilët kanë zënë të dyja korsitë e lëvizjes. Drejtuesit e mjeteve janë detyruar të ndalojnë, ndërsa në zonë është krijuar një radhë e gjatë automjetesh.

Qytetari që ka dërguar videon tregon se ndodhej në drejtim të Kosovës kur është përballur me bllokimin e papritur. Ai ngre si mundësi pakujdesinë dhe reshjet e shiut që kanë përfshirë zonën, por shkaku i shembjes nuk është konfirmuar ende.

Rënia e masiveve shkëmbore në një aks kaq të rëndësishëm për lëvizjen mes dy vendeve përbën rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët. Mjafton një moment i vetëm që një automjet të gjendet nën gurët që shkëputen nga mali.

Autoritetet rrugore dhe strukturat e emergjencave duhet të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës, vlerësimin e qëndrueshmërisë së shpatit dhe garantimin e sigurisë përpara se qarkullimi të normalizohet. Nuk mjafton vetëm largimi i shkëmbinjve nga asfalti, nëse rreziku i shembjeve të tjera mbetet.

Për momentin, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Kosovës duhet të tregojnë kujdes dhe të informohen për gjendjen e këtij aksi përpara se të nisen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit