Inside Story/ Pse pacientët orvaten dyerve të spitaleve, QSUT: 2 mijë pajisje të amortizuara ose të papërdorshme… Për spitalet rajonale janë kryer investime episodike në aparatura, përfshirë programin e vitit 2018 prej 4,5 milionë eurosh për pajisje biomjekësore si defibrilatorë, moninitorë , elektokardiogramë, etj.
Po ashtu financimi në flotën e pajisjeve mjekësore diagnostikuese është në rënie: fondet e projekteve me financim të brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë pajisje mjekësore ranë nga rreth 466 milionë lekë në vitin 2021 në rreth 73 milionë lekë në vitin 2023. Në QSUT, donacionet përbënin 57% të burimeve të financimit të pajisjeve për periudhën 2021–2023 dhe fondet vjetore u tkurrën nga mbi 200 milionë lekë në vetëm 33,6 milionë lekë në vitin 2023. Në të njëjtën periudhë, vetëm tre spitale universitare paguan mbi 724 milionë lekë ose rreth 6,5 milionë euro për kontrata mirëmbajtjeje “full risk” me operatorë privatë, pa asnjë analizë kosto–përfitim dhe pa vlerësime “end of life” për pajisjet e vjetruara…
Ekspertët vlerësojnë se në themel të kësaj gjendjeje qëndron një boshllëk i dyfishtë: njerëzor dhe institucional.
“Ne kemi krijuar kulturën e blerjes së teknologjive të mira madje edhe invaotaive, por kemi probleme serioze në konceptimin e kontratave të mirëmbajtjeve. në sistemet shëndetësore të shëndetshme, 5-10% i e vlerës së kontratës së blerjes shkon kontratës së mirëmbajtjes dhe kjo lidhet me përballimin dhe riskun, jo vetëm mbipërdorimin apo prishje dhe problematika që mund të shfaqë”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor.
Duket se thembra e Akilit e të gjithë kësaj situatë është Qendra Kombëtare e Inxhinierisë Bio-Mjekësore, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo ka si qëllim mbështetjen e të gjithë strukturave të sistemit shëndetësor publik për riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore dhe inventarizimin e tyre.
Institucioni ekziston si vazhdim i “Ofiçinës Elektro-Mjekësore” të kohës së monizmit dhe u riemërtua në vitin 1995 si “Qendra Kombëtare Teknike Bio-Mjekësore” Pikërisht kjo shkresë, 30 vjet më vonë, është i vetmi akt mbi të cilin qendra ushtron detyrat e saj…
Ligji “Për pajisjet mjekësore” i vitit 2014, nuk e përmend fare, ndonëse asaj i ngarkohen inventarizimi kombëtar, administrimi i sistemit KLINGO, vlerësimi klinik i pajisjeve, riparimi në gjithë vendin, telemjekësia dhe trajnimi i stafit. Po ashtu rregullorja e saj e brendshme është e pamiratuar nga ministria. Struktura numëron 26 punonjës gjithsej. Vetëm 7 prej tyre në sektorin e riparimit e mirëmbajtjes, për të gjitha spitalet publike të Shqipërisë që e bën të pamundur funksionimin. Buxheti i saj u tkurr nga 43,7 milionë lekë të planifikuara në 2021 në 29,2 milionë në 2023.
Sektori i Pajisjeve Mjekësore në ministri, i krijuar në vitin 2010 me tre inxhinierë, u suprimua në vitin 2017; specialistët u shpërndanë në pozicione të tjera dhe për më shumë se 4 vjet, nga viti 2017 deri më 2020, ministria nuk pati fare strukturë të dedikuar për pajisjet mjekësore, derisa sektori u rikrijua në 2021 me tre veta. Njëri prej tyre, mbulon kozmetikën…
Në asnjërën nga tri qendrat spitalore universitare të audituara nuk punon një inxhinier biomjekësor i diplomuar në këtë fushë. Në sistemin publik të arsimit të lartë nuk ka ende kurikula për inxhinieri biomjekësore. Vetëm së fundmi një universitet privat ka hapur një program bachelor në Inxhinieri Biomjekësore.
Sektori i inxhinierisë klinike i QSUT-së ka gjithsej 6 punonjës për mijëra pajisje. PLot 3 mijë e 258 rekorde vetëm në sistemin KLINGO, ndërsa Spitali “Shefqet Ndroqi” ka një pozicion të vetëm. “Task Forca” e fundvitit 2023 për pajisjet me defekt nuk kreu asnjë inspektim.
“Sa i përket aparaturave të trashëguara që nga sistemi i komunizmit, kemi problematika serioze por mund të jetë e mirëmbajtuar dhe pa nivel të rrezikshme rrezatimi, nuk përmbajnë as një risk as për qytetarin dhe as personelin, por ne duhet të jemi në gjendje të bëjmë transparencë: së pari për qytetarin që është konsumator i shërbimeve mjekësore , së dyti me personelin që e përdorin dhe janë të rriskuar, pra duhet transparencë, auditim të pajisjeve nga ekspertë dhe sistemi ynë shëndetësor duhet të fuqizojë ekspertët bio mjekësinë”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor
Mungesa e inxhinierëve biomjekësorë, ngre dyshime se specifikimet teknike, merren të gatshme pikërisht nga furnitorët privatë në procedura tenderuese të paracaktuara, me kritere të qepura sipas kapacitetit të klientëve…
Braktisja e QKTB-së solli zhvendosjen e këtij tregu dhe kontratave full risk tek privati duke e nxjerrë jashtë lojë institucionin publik… Sipas të dhënave të raportuara nga QKTB në 3 vite e gjysmë tre spitalet më të mëdha publike në vend, i kanë paraqitur vetëm 24 kërkesa për riparim të pajisjeve mjekësore. Nga këto QKTB ka mundur të realizojë vetëm 7 kërkesa, ndërsa 17 kërkesa ose 71% e totalit nuk ka mundur ti realizojë. Për 3 vite e gjysmë, në asnjë rast QSUT, nuk i është drejtuar kësaj qendre për asistencë për riparimin e pajisjeve mjekësore.
Teksa institucioni publik QKTB është lënë të vdesë, miliona euro kanë shkuar te biznesi privat për kontrata full risk për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore.
Nga të dhënat e hulumtuara në open data duket se procedurat e prokurimit për mirëmbajtjen dhe riparimin e aparaturave janë mjaft fitimprurëse për privatët. Nga viti 2017 e deri më tani, vetëm për mirëmbajtjen e aparaturave full risk janë zhvilluar 195 procedura, nga të cilat 105 janë shënuar me flamur të kuq. Fondi limit i shpenzuar është 2.6 mld lekë ose 26 mln euro.
“Ka lekë patjetër, por është evidente fakti që pjesa dërmuese e buxhetit të shëndetësisë shkojnë në ato le të themi PPP-t e famshme ë të cilat pastaj përfundojnë duke mos ofruar shërbim për pacientët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë por shkojnë në xhepat e pak njerëzve në ë le të themi në mënyra të cilat ë kanë mungesë të theksuar transparence dhe këtë”, u shpreh, Bardh Spahia, Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë
Ky është një tender që në verën e 2026-ës Operatori i Blerjeve të përqendruara zhvilloi për mirëmbajtjen e MRI për spitalin e Korçës. Fitues me 100% të vlerës u shpall kompania Health & Light që zotërohet nga Petrit Vargu.
Megjithatë ky nuk është i vetmi rast kur tenderat fitohen me 100 % të vlerës së fondit limit. Këto janë dy tendera të tjera të zhvilluar nga QSUT. Edhe në këtë rast shuma e fituar është po aq sa fondi limit.
HEALTH & LIGHT ShPK, është një kompani që në sektorin e shëndetësisë ka marrë 193 kontrata, nga 205 kontrata në total. Ajo që bien në sy është fakti se 71% e kontratave ose 145 kontrata janë të shënuara me flamur të kuq.
Por, tenderat që fitohen me 100 % të vlerës nuk janë të pazakontë në këtë sektor. Biometric Albania SHPK që zotërohet nga Artur Kadareja ëhstë një ndër gjigandët që merr tenderat e mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore…
Nga 534 kontrata të fituara, 504 i ka në sektorin e shëndetësisë dhe 57% I ka me flamur të kuq.
“Montal”, në pronësi të Skënder Lufit, po ashtu i fiton tenderat me 100% të vlerës limit. Kjo kompani ka më shumë se gjysmën e tenderave me flamuj të kuq, dhe po ashtu tenderat për mirëmbajtje janë pothuajse 100% të fondit limit.
Mirëmbajtja e aksleratorit linear duket se prej vitesh bëhet nga kompania ‘Linear’ në pronësi të Kristaq Shuperkas …Që nga viti 2017 kjo kontratë I është besuar kësaj kompanie. Siç edhe dëshmohet, në të gjitha rastet ai I ka fituar tenderin me 100% të vlerës. Vetëm në tenderin e vitit 2025 janë futur dy ofertues, por kompania e dytë “Klame” nuk ka paraqitur as dokumentacion dhe as ofertë ekonomike duke ngritur dyshime për pjesëmarrje fiktive…
“Do të duhej që një kontratë shit blerje të aparaturave të përfshinte në vetvete edhe kontratën e mirëmbajtjes dhe garantimin e kësaj mirëmbajtje e cila në rast të kundërt ka një impakt negativ dhe jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Është thjesht është çështje e mungesës së përgjegjshmërisë së strukturave të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të vizionit”, u shpreh Bardh Spahia, Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë
“Ne kemi krijuar kulturën e blerjes së teknologjive të mira madje edhe invaotaive, por kemi probleme serioze në konceptimin e kontratave të mirëmbajtjeve. në sistemet shëndetësore të shëndetshme, 5-10% i e vlerës së kontratës së blerjes shkon kontratës së mirëmbajtjes dhe kjo lidhet me përballimin dhe riskun, jo vetëm mbipërdorimin apo prishje dhe problematika që mund të shfaqë”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor.
Ligji i vitit 2014 ia besoi regjistrimin dhe inspektimin e tregut Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, por askujt menaxhimin e ciklit të jetës së pajisjeve në përdorim. Këtë paqartësi ligjore ku QKTB mbeti me detyra, por pa mandat, KLSH e përshkruan si hapësirë për “dublim kompetencash dhe parregullsi”…
Nga ana e saj Agjencia e Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore i tha Inside Story se ka një regjistër kombëtar të pajisjeve mjekësore, pasi çdo pajisje mjekësore e cila vendoset në treg në Republikën e Shqipërisë nga importuesit e licencuar, duhet të regjistrohet, pranë AKBPM-së, por ajo nuk përgjigjet për moshën apo ndërhyrjet në to.
Kjo agjenci shpjegon më tej se për periudhën 2021-2026, ka kryer në total 295 inspektime ndaj tregtuesve me shumicë të pajisjeve mjekësore dhe ka marrë 12 masa administrative, por, pa shpjeguar se cilat ishin konkretisht shkeljet.
Top Channel