Franca ka ngritur shqetësimin për rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor si pasojë e llogaritjeve të gabuara gjatë përdorimit të raketave me rreze të gjatë veprimi në një konflikt të mundshëm ushtarak me Rusinë. Parisi i ka kërkuar Berlinit të qartësojë mënyrën se si planifikon të përdorë këto sisteme armatimi. Sipas një raportimi të gazetës Financial Times, Franca druhet se Moska mund ta keqinterpretojë përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga aleatët europianë, duke i konsideruar goditjet konvencionale si fillimin e një sulmi më të gjerë ushtarak. Shqetësimi francez vjen në një kohë kur Gjermania po zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e saj të raketave me rreze të gjatë veprimi, përfshirë sisteme të afta për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus.