Zvicër, zbulohet metodë e re për identifikimin e “drogës së përdhunimit”, mund të zbulohet deri në tri ditë pas konsumimit
Studiuesit e Universitetit të Cyrihut kanë zbuluar një metodë të re që mundëson identifikimin e GHB-së, e njohur si “droga e përdhunimit”, edhe disa ditë pas konsumimit.
Zbulimi pritet të ndihmojë në hetimin e rasteve kur viktimat drogohet pa dijeninë e tyre.
Një metodë e re e zhvilluar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Cyrihut në Zvicër mundëson zbulimin e substancës GHB në organizëm për një periudhë dukshëm më të gjatë sesa metodat e deritanishme.
Sipas televizionit publik zviceran SRF, deri më tani kjo substancë mund të identifikohej në gjak deri në gjashtë orë pas konsumimit, ndërsa në urinë deri në 12 orë. Kjo e bënte shumë të vështirë konfirmimin e rasteve, pasi mostrat biologjike shpesh nuk arrinin të merreshin brenda këtij intervali.
Metoda e re bazohet në zbulimin e një biomarkeri, një produkt metabolik të GHB-së, i cili qëndron në organizëm më gjatë se vetë substanca, transmeton Telegrafi.
Andrea Steuer, zëvendësdrejtuese e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Cyrihut, ka shpjeguar për SRF se në studimet e kontrolluara biomarkeri është identifikuar te të gjithë pjesëmarrësit edhe 28 orë pas marrjes së substancës. Te shumica e tyre ai është zbuluar edhe pas 48 orësh, ndërsa në disa raste deri në 72 orë.
Studiuesja ka bërë të ditur se biomarkeri i ri tashmë është përfshirë në metodologjinë e analizave të institutit, duke mundësuar marrjen e rezultateve edhe kur mostrat merren 24 orë pas ngjarjes së dyshuar.
Megjithatë, ajo ka theksuar se personat që dyshojnë se janë droguar duhet të kërkojnë sa më shpejt ndihmë mjekësore dhe të sigurojnë marrjen e mostrave biologjike, pasi koha vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm.
Sipas SRF-së, problemi i zbulimit të GHB-së për një kohë të shkurtër është i pranishëm edhe në institutet e mjekësisë ligjore në vende të tjera të botës. Për këtë arsye, metoda e re mund të ketë rëndësi edhe për institucionet ndërkombëtare që merren me hetimin e rasteve të tilla.
Zbulimi i Universitetit të Cyrihut paraqet një mundësi të re për sigurimin e provave në rastet e dyshuara të përdorimit të kësaj substance, veçanërisht kur viktimat nuk arrijnë të raportojnë menjëherë atë që u ka ndodhur./Telegrafi/





























