Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) u ka kërkuar punonjësve të të gjitha divizioneve të marrin pjesë në protestën e planifikuar për nesër, më 12 nëntor. Tubimi do të mbahet para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues në Toskanë.
Protesta do të fillojë në orën 11:00. Sipas sindikatës, vendimi për ta organizuar atë erdhi pasi menaxhmenti dhe Bordi Drejtues nuk iu përgjigjën pozitivisht kërkesave të parashtruara më herët nga përfaqësuesit e punëtorëve.
Të lidhura
None found
Në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i Sindikatës së Re, Xhelal Jashari, thuhet se punonjësit në miniera dhe termocentrale punojnë çdo ditë në kushte të rënda e të rrezikshme. Ata, sipas sindikatës, përballen me pluhur, temperatura ekstreme dhe rrezikshmëri të lartë, pa marrë kompensim financiar të denjë.
Punëtorët kërkojnë caktimin e një page të dinjitetshme për të gjithë, ekzekutimin e pagës së 13-të, si dhe përmirësimin e kushteve të punës e vlerësimin e rrezikshmërisë në vendin e punës.
SRKEK u ka bërë thirrje punonjësve të DPQ-së, TC Kosova A, TC Kosova B dhe Sigurisë Fizike që t’i bashkohen protestës dhe të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre.
“Nuk kërkojmë lëmoshë e as privilegje, por dinjitetin që na takon për punën që bëjmë. Nesër nuk dalim për inat të askujt, por për veten dhe familjet tona”, thuhet në thirrjen e sindikatës.







