Pas skandalit me biznesmenen kineze, CEO i Nvidia-s kapet në një tjetër aferë jashtëmartesore, këtë herë me një drejtoreshë të kompanisë

12/11/2026 08:11

Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, është përfshirë në një tjetër skandal për marrëdhënie jashtëmartesore, ndërsa kompania vijon të përballet me pasojat e zbulimeve për lidhjen e tij të dyshuar me një sipërmarrëse kineze, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimet e inteligjencës së Pekinit.

63-vjeçari pranoi në një mesazh drejtuar punonjësve të dielën se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me sipërmarrësen kineze Alice Huang, e cila është nën hetim për dyshimet se ka përcjellë informacione drejt Kinës.

Por, sipas pesë personave që kanë punuar në Nvidia dhe që kanë folur për The New York Times, Huang dyshohet se ka pasur gjithashtu një lidhje me Kimberly Powell, 48 vjeçe, zëvendëspresidente e kompanisë për sektorin e shëndetësisë.

Dy prej burimeve pretendojnë se Huang dhe Powell janë filmuar duke shfaqur afërsi me njëri-tjetrin në një hotel në San Jose të Kalifornisë, gjatë konferencës së Nvidia-s në muajin mars. Në fund të tetorit, të dy morën pjesë edhe në konferencën GTC të kompanisë në Berlin të Gjermanisë. Megjithatë, në të njëjtën periudhë, Powell është parë duke ekspozuar unazën e fejesës.

Të dy drejtuesit janë të martuar me persona të tjerë. Nëse konfirmohet, marrëdhënia e pretenduar do të përbënte shkelje të kodit të etikës së Nvidia-s, i cili u kërkon punonjësve të shmangin situatat që krijojnë konflikt interesi, përfshirë marrëdhëniet personale. Kompania parashikon gjithashtu hetimin e menjëhershëm të çdo raportimi për sjellje të papërshtatshme.

Zbulimet e fundit kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia-s ranë me rreth 8% në tregtimin pas mbylljes së bursës, ndërsa kompania ka humbur më shumë se 300 miliardë dollarë në vlerë tregu që prej publikimit të lajmit për lidhjen e dyshuar me Alice Huang.

Ndërkohë, sipas Wall Street Journal, bordi drejtues i Nvidia-s po përgatitet të shqyrtojë largimin e Jensen Huang nga posti i drejtorit ekzekutiv. Anëtarët e bordit pritej të mblidheshin që të mërkurën për të diskutuar të ardhmen e tij në kompani.

Huang bashkëthemeloi Nvidia-n në prill të vitit 1993 dhe drejtoi rritjen e saj deri në shndërrimin në një prej kompanive më të vlefshme në botë. Ai është vlerësuar edhe nga presidenti amerikan Donald Trump për punën në fushën e inteligjencës artificiale.

Pamjet në hotel dhe hetimi për lidhjen me sipërmarrësen kineze

Kimberly Powell iu bashkua Nvidia-s në vitin 2008 dhe u ngjit gradualisht në hierarkinë e kompanisë. Në vitin 2016 u promovua në pozicionin e drejtoreshës së lartë për zhvillimin e biznesit në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa në fund të vitit 2017 mori detyrën e zëvendëspresidentes për shëndetësinë.

Në këtë pozicion, ajo mbikëqyr projekte që synojnë përdorimin e teknologjisë së procesorëve të Nvidia-s në arsim dhe shëndetësi, veçanërisht në pajisjet e imazherisë mjekësore.

Gjatë konferencës së kompanisë në mars, Powell foli për potencialin e inteligjencës artificiale në përparimet e mjekësisë dhe biologjisë. Në të njëjtën ngjarje, Huang u shfaq papritur në skenë. Më pas, sipas burimeve të cituara nga The New York Times, dy drejtuesit u filmuan në një hotel pranë vendit ku zhvillohej konferenca.

Sipas të njëjtave burime, një person që kishte regjistruar pamjet me telefon u vu re nga truprojat e Huang. Ata e ndaluan dhe më pas i propozuan të firmoste një marrëveshje konfidencialiteti.

I pyetur nga gazeta për marrëdhënien me Powell, Huang u përgjigj: “Nuk mendoj se duhet të flisni drejtpërdrejt me mua”, përpara se të ndërpriste telefonatën.

Zbulimet e reja vijnë ndërsa Nvidia ka nisur tashmë një hetim për marrëdhënien e dyshuar mes Huang dhe Alice Huang. Hetimi po drejtohet nga firma ligjore Wachtell, Lipton, Rosen & Katz. Paralelisht, drejtues republikanë të tre komiteteve të rëndësishme të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë kërkuar kreut të Nvidia-s të japë shpjegime në një seancë me dyer të mbyllura për kontaktet e tij me sipërmarrësen kineze, themeluese të kompanisë Megaspeed.

Sipas raportimeve, Alice Huang fliste hapur për afërsinë me drejtuesin e Nvidia-s që në qershor të vitit 2024. Gjatë një panairi të teknologjisë në Taipei, ajo thuhet se e kishte ftuar Huang të bashkohej me të dhe me disa drejtues të tjerë në një bar, duke u thënë të pranishmëve: “Jensen është një mik shumë i mirë i imi”. Ai mbërriti pak minuta pas mesazhit të saj.

Një tjetër takim mes tyre raportohet të ketë ndodhur në maj të vitit 2025, gjatë një darke në Taipei, ku janë parë duke u përshëndetur me puthje në faqe dhe duke shkëmbyer prekje në krahë. Pas publikimit të skandalit, kanë dalë gjithashtu fotografi ku të dy shfaqen duke ngritur gotat e verës në një dolli dhe duke pozuar së bashku.

Dyshimet për spiunazh dhe tregtinë e procesorëve

Në fillim të vitit 2025, Alice Huang dyshohet se u kishte propozuar investitorëve me bazë në Kinë një marrëveshje për furnizimin me procesorë të inteligjencës artificiale. Sipas Financial Times, ajo kishte përdorur lidhjet e saj tregtare me Alibaba-n dhe pretendonte se mund të siguronte procesorët grafikë të Nvidia-s, të cilët janë shumë të kërkuar në treg.

Projekti lidhej me ndërtimin e një qendre të të dhënave në Azinë Juglindore, me vlerë disa qindra milionë dollarë. Megjithatë, investitorëve nuk u kishte bërë të ditur marrëdhënien e saj me Huang.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë ishin informuar se sipërmarrësja mund të punonte për Ministrinë e Sigurimit të Shtetit në Kinë, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar informacione mbi procesorët amerikanë të inteligjencës artificiale dhe për të bindur Nvidia-n të furnizonte Kinën me gjysmëpërçuesit e saj më të avancuar.

Autoritetet amerikane kanë hetuar gjithashtu kompaninë Megaspeed, për dyshimet se mund të ketë ndihmuar në kontrabandimin e pajisjeve teknologjike drejt Kinës. Vitin e kaluar, qeveria amerikane i kërkoi Nvidia-s të kryente një auditim të kompanisë.

Në raportin fillestar, Nvidia deklaroi se pajisjet ishin të gjitha të identifikuara dhe të llogaritura. Por dokumentet e siguruara nga Bloomberg treguan se Megaspeed kishte importuar 50 mijë procesorë më shumë nga sa rezultonte në të dhënat e qendrave të saj të të dhënave. Nvidia premtoi se do të kryente një tjetër verifikim në dhjetor 2025, por nuk dihet nëse ky kontroll u realizua.

Në mes të këtij skandali, Nvidia dhe Jensen Huang u paditën të hënën nga aksionarët, të cilët i akuzojnë se kanë fshehur informacione për marrëdhënien e dyshuar të drejtuesit të kompanisë. Sipas padisë, pas publikimit të lajmit, aksionet ranë me 4.3% deri në mbylljen e bursës, duke i shkaktuar kompanisë një humbje prej rreth 190 miliardë dollarësh në kapitalizimin e tregut.

Nga ana e saj, Nvidia deklaron se nuk kishte dijeni për hetimet ndaj Megaspeed apo Alice Huang dhe se nuk ka arsye të besojë se siguria kombëtare amerikane apo sekretet tregtare të kompanisë janë komprometuar.

Kompania ka bërë të ditur se ka nisur një hetim të brendshëm për të shqyrtuar të gjithë informacionin e disponueshëm, nismë që, sipas saj, është mbështetur edhe nga vetë Jensen Huang.

 

Top Channel