Protesta kundër rritjes së kostos së banesave në Barcelonë, e cila nisi në mënyrë paqësore, u përshkallëzua në përplasje mes grupeve të protestuesve dhe policisë. Në qendër të qytetit u ngritën barrikada në flakë, ndërsa u dëmtuan vitrina dyqanesh dhe pati raportime për grabitje të disa bizneseve.
Sipas Euronews, ngjarjet e dhunshme nisën rreth orës 19:30 të së mërkurës, 11 nëntor, kur grupe protestuesish të maskuar hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë drejt forcave të policisë, pranë Passeig de Gràcia dhe Plaça de Catalunya. Disa prej tyre u vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe pajisjeve të rrugës, duke krijuar barrikada në qendër të qytetit.
Policia katalanase, Mossos d’Esquadra, ndërhyri për të shpërndarë grupet e dhunshme, duke përdorur mjete për kontrollin e turmave dhe duke kryer ndërhyrje me shkopinj gome. Përplasjet u përhapën edhe në drejtim të zonës së Las Ramblas.
Dhuna shpërtheu pasi grupe të vogla të rinjsh të maskuar u shkëputën nga marshimi masiv, i cili deri në atë moment ishte zhvilluar në mënyrë paqësore. Sipas vlerësimeve të policisë bashkiake, në protestë morën pjesë mbi 55 mijë persona, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 400 mijë.
Gjatë trazirave u arrestuan 18 persona, duke e çuar në 20 numrin e përgjithshëm të të ndaluarve gjatë ditës. Presidenti i Katalonjës, Salvador Illa, dënoi aktet e dhunës, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë frymën e protestës paqësore.
Tubimi u zhvillua në ditën e grevës së përgjithshme 24-orëshe në Spanjë, e para e këtij lloji që prej vitit 2012. Sindikatat pretendojnë se në grevë u përfshinë rreth katër milionë punonjës.
Protesta pasqyron pakënaqësinë më të gjerë sociale për vështirësitë në përballimin e kostos së banesave, pagat që kanë mbetur në vendnumëro dhe inflacionin. Tensione të ngjashme sociale janë shfaqur muajt e fundit edhe në Portugali, Belgjikë, Francë, Itali dhe Gjermani. Ngjarjet në Barcelonë ndodhin më pak se tri javë përpara zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit, duke shtuar presionin politik ndaj qeverisë.