Shembet një ndërtesë trekatëshe në Brooklyn të New Yorkut, dy të vdekur dhe mbi 10 të plagosur

Të paktën dy persona kanë vdekur dhe më shumë se 10 të tjerë janë dërguar në spital pas shembjes së një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të New Yorkut, të mërkurën.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se ndërtesa, e cila ndodhej pranë një kantieri ndërtimi në lagjen Flatbush, u shemb rreth orës 16:00 sipas kohës lokale. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënoja, pasi dyshohet se mund të ketë edhe persona të tjerë të bllokuar.

Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkut, John Esposito, tha se bëhet fjalë për një ndërtesë banimi me katër njësi, e ndërtuar në vitin 1930, e cila u shemb dhe përfundoi në kantierin ngjitur, ku po zhvilloheshin punime gërmimi. Shkaku i shembjes është duke u hetuar, raporton Reuters.

Nuk dihet ende se sa persona ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e shembjes, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur as numrin e punëtorëve që ndodheshin në kantier.

Një ekip zjarrfikësish që ndodhej rastësisht në lagje arriti në vendngjarje brenda një minute dhe ndihmoi në nxjerrjen e viktimave të para nga rrënojat.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, konfirmoi se dy persona kanë vdekur, ndërsa më shumë se 10 të tjerë janë dërguar në spitalet lokale me lëndime të ndryshme, disa prej tyre në gjendje kritike.

Komisionerja e Departamentit të Zjarrfikësve, Lillian Bonsignore, tha se deri në atë moment ishin identifikuar gjithsej 19 persona të prekur nga ngjarja, përfshirë shtatë fëmijë. Ajo nuk bëri të ditur nëse dy personat e vdekur ishin fëmijë apo të rritur. Sipas saj, edhe një zjarrfikës ka pësuar lëndime të lehta.

Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes treguan ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga qentë kërkues, duke kontrolluar rrënojat dhe duke larguar mbeturinat me kova, në përpjekje për të gjetur persona që mund të kenë mbetur të bllokuar.

Televizioni WABC-TV raportoi se të paktën katër persona të mbijetuar u nxorën nga rrënojat rreth dy deri në dy orë e gjysmë pas shembjes, përfshirë një grua shtatzënë.

Esposito paralajmëroi se ekipeve të shpëtimit do t’u duhen disa ditë për të kontrolluar të gjithë zonën dhe për të identifikuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

“Ende nuk e dimë se sa persona mungojnë gjithsej”, deklaroi ai.

Departamenti i Zjarrfikësve fillimisht kishte raportuar për katër persona të lënduar rëndë dhe gjashtë të tjerë me lëndime të lehta, përpara se të nxirreshin nga rrënojat dy të mbijetuarit e parë.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika