Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ndaj kryeqyteteve, ndërsa të dërguarit amerikanë mbërrijnë në Moskë

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës në orët e para të së enjtes, një ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes dhe pak para se të dërguarit amerikanë të mbërrinin në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.

I dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, ka pritur në aeroportin e Moskës negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të cilët pritet të takohen me kreun e Kremlinit gjatë ditës.

Gjatë dy ditëve të bisedimeve të paqes në Abu Dhabi, të cilat përfunduan të mërkurën, negociatorët rusë dhe ukrainas janë pajtuar për një shkëmbim të të burgosurve. Megjithatë, ndërmjetësuesit amerikanë kanë thënë se dallimet mes palëve mbeten të mëdha për çështjet kryesore, përfshirë atë të territoreve.

Kushner ka deklaruar se partnerët evropianë duhet të jenë pjesë e tryezës së negociatave për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur në Telegram se ka goditur objekte ushtarake dhe energjetike në Ukrainë, si dhe një depo municionesh në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Shpërthime janë dëgjuar në Kiev në orët e para të së enjtes, ka raportuar një dëshmitar i Reuters. Ndërkohë, një zyrtar lokal ka njoftuar se sulmet kanë dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe atë civile në rajonin e Rivnes.

Në anën tjetër, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar pesë dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit rus. Dronë të tjerë janë rrëzuar edhe në disa rajone të Rusisë, përfshirë Rostovin dhe Tulën, sipas zyrtarëve lokalë.

Pas takimit në Moskë, negociatorët amerikanë planifikojnë të udhëtojnë drejt Irlandës, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili pritet të marrë pjesë në një takim të liderëve evropianë.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika