Ekspozita “Dua më shumë Shqipërinë”, koleksioni i përzgjedhur nga fondi i galerisë Guri Madhi
Galeria e Artit “Guri Madhi” në Korçë çeli ekspozitën “Dua më shumë Shqipërinë”, e cila sjell një udhëtim artistik përmes veprave që mbartin në vetvete identitetin dhe historinë.
Kjo ekspozitë që u çel në muajin e festave të flamurit, përcjell për publikun një koleksion të përzgjedhur nga fondi i pasur artistik i galerisë me piktura dhe skulptura, si dhe objekte nga koleksioni i Muzeut Historik që vijnë së bashku në një rrëfim të veçantë për Shqipërinë.
“Kemi përzgjedhur autorë të cilët e kanë përshkruar shumë bukur Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit. Pra, janë tema shumë interesante që flasin për patriotët dhe betejat. Besoj se publiku korçar dhe artdashësit do të përjetojnë në këto ditë një ndjesi të bukur dhe, nëpërmjet artit pamor, do të njihen me këto ditë dhe me këtë muaj të shënuar. Shpresoj që këtë ekspozitë ta shohin sa më shumë të rinj, sepse është një formë që mund të përcillet shumë më mirë tek ata dhe përmes së cilës mund të njohin më nga afër historinë e tyre”, u shpreh Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës së Artit e Kulturës Korçë.
Disa prej veprave prezantohen për herë të parë për publikun, duke sjellë zbulime të reja artistike dhe një mundësi për të rizbuluar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore. “Dua më shumë Shqipërinë” është një ftesë për të parë, ndjerë dhe vlerësuar përmes artit atë që na përket të gjithëve.
“Besoj se është një përkujdesje për këto vepra pas shumë vitesh. Kjo është ekspozita e dytë, besoj, që hapet me rastin e festave, me pothuajse të gjitha veprat e Galerisë së Arteve. Kështu që janë vepra vërtet të mira dhe të ruajtura shumë mirë. Besoj se njerëzit do të kënaqen”, tha njw vizitor.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 dhjetor.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




