Sot ndeshja Shqipëri–Finlandë, Policia plan masash: Bllokohen disa rrugë në Tiranë, ja akset ku nuk do të lejohet qarkullimi

Aktualitet | 16 minuta më parë

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri–Finlandë, e cila do të zhvillohet këtë të enjte (12 nëntor), në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Për mbarëvajtjen e ndeshjes do të angazhohen qindra punonjës policie, ndërsa kontrollet ndaj tifozëve do të jenë të imtësishme, veçanërisht në hyrjet e stadiumit.

Për shkak të zhvillimit të ndeshjes, nga ora 17:00 deri në përfundim të saj do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit “Air Albania”.

Rrugët ku do të ndalohet qarkullimi janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë urës së ish-Hotel Dajtit; Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së; Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së; Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje; Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, me përjashtim të mjeteve të autorizuara nga FSHF-ja; Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

Gjithashtu, pak para përfundimit të ndeshjes, në sheshin “Wilson” lëvizja e automjeteve do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”. Ndërkohë, Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e automjeteve.

Policia e Shtetit njofton se para hyrjes në stadium tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara. Në stadium nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, produkteve kozmetike dhe sendeve të tjera të forta apo të rrezikshme.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit/Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri–Finlandë, që do të zhvillohet sot, datë 12.11.2026, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ata të sigurisë  kanë zhvilluar disa takime për të bashkërenduar veprimet për garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti dhe të sigurisë së lojtarëve dhe tifozëve.

Strukturat e Policisë së Shtetit, duke u mbështetur në përvojën pozitive në planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare, kanë hartuar planin e masave, i cili parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha shërbimet e Policisë, në koordinim me institucionet e tjera.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 12.11.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Willson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve dhe produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion tifozëve, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme