Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të neneve 92, shkronja “f” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, me dekret nr. 595, datë 12.11.2026, dekretoi sot emërimin e zonjës Esmeralda Hasani në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Përpara dekretimit, janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit si të parashikuara në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta.
KUSH ËSHTË ESMERALDA HASANI
Ajo është diplomuar në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Milanos në Itali. Ka përfunduar studimet Master në Planifikimin dhe Zhvillimin e Projekteve në Innovation Business School në Bruksel.
Ajo ka punuar si lektore e së drejtës evropiane dhe e procesit të integrimit në Universitetin Barleti, si dhe ka drejtuar institute të ndryshme kërkimore dhe akademike.
Para emërimit në krye të SHISH, ajo ka shërbyer si konsulente e lartë dhe këshilltare pranë Zyrës së Kryeministrit për planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve.
Nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, Hasani ka mbajtur detyrën e këshilltares dhe shefes së stafit pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën. Gjatë kësaj periudhe, ajo u përfshi në ngritjen e institucioneve për diasporën dhe në hartimin e projekteve zhvillimore.
Para se të merrte drejtimin e institucionit, ajo kishte mbajtur edhe detyrën e shefes së Departamentit Mbështetës në SHISH.




