E mitura bie nga vetura në lëvizje në Suharekë, pëson lëndime të rënda

Një vajzë e mitur ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi ka rënë nga një veturë në lëvizje në fshatin Reqan të Suharekës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 11 nëntor, rreth orës 14:00, ndërsa në veturën që përdorej për bartjen e mallrave ndodhej edhe viktima e mitur.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar derisa ka qenë në rrugë me veturën e tij për bartjen e mallrave, në veturë ka qenë edhe viktima e mitur femër kosovare, e cila aksidentalisht ka rënë nga vetura e cila ishte në lëvizje”, thuhet në raportin e Policisë.
Si pasojë e rënies, e mitura ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndërkaq, i dyshuari është intervistuar nga Policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar si “Rrezikim i trafikut publik” dhe “Aksident trafiku me lëndime të rënda”. /Telegrafi/


































