Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi të enjten se rrjedha e historisë nuk mund të ndalet. Ai kërkoi ribashkimin e plotë të Tajvanit dhe u zotua se do ta realizojë këtë në mënyrë paqësore, pa përmendur përdorimin e forcës. Deklarata u bë gjatë një fjalimi në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, me rastin e 160-vjetorit të lindjes së heroit revolucionar Sun Yat-sen.
Ky i fundit ndihmoi në udhëheqjen e një revolte në vitin 1911 që i dha fund shekujve të sundimit perandorak dhe solli Republikën e Kinës. Ai e cilësoi çështjen e Tajvanit si një mision historik të palëkundur të Partisë Komuniste të Kinës. “Rrjedha e historisë nuk mund të ndalet.
Ribashkimi i plotë i atdheut duhet të realizohet dhe me siguri do të realizohet”, tha Xi. Kina e konsideron Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, si territorin e vet, pavarësisht refuzimit të fortë të këtij pretendimi nga Taipei. Ajo ka ofruar vazhdimisht një model autonomie “një vend, dy sisteme”, i cili nuk mbështetet nga asnjë parti e madhe politike tajvaneze.
Edhe pse Xi nuk e përmendi përdorimin e forcës, të cilën Kina nuk e ka hequr kurrë dorë për Tajvanin, ushtria e saj vepron rreth ishullit çdo ditë. Ajo po e zgjeron shtrirjen e saj më tej në Paqësor. Marrëdhëniet Kinë-Tajvan mbeten të tensionuara.
