Kombëtarja shqiptare zbret sot në mbrëmje në fushën e “Air Albania”, ku në orën 20:45 do të përballet me Finlandën në një nga sfidat më të rëndësishme të Grupit 1 të Ligës C në Nations League. Përballja me finlandezët shihet si një mundësi e artë për kuqezinjtë që të hedhin një hap të madh drejt vendit të parë.
Shqipëria kryeson aktualisht grupin me 9 pikë, të grumbulluara falë tri fitoreve dhe një humbjeje. E vetmja disfatë deri më tani ka ardhur pikërisht ndaj Finlandës, në ndeshjen e parë, ku skuadra jonë u mund me rezultatin 2-1. Për këtë arsye, dueli i sotëm merr edhe më shumë rëndësi, pasi një fitore do t’i jepte Kombëtares mundësinë të shkëputej nga një prej rivalëve kryesorë për kreun.
Sa i përket formacionit, trajneri Maran pritet të mos bëjë eksperimente dhe të besojë te lojtarët që ofrojnë më shumë siguri në këtë moment. Në portë rikthehet Etrit Berisha, i cili mungoi në pjesën më të madhe të ndeshjes së parë pas daljes me karton të kuq.
Në repartin defensiv, para tij pritet të rreshtohen Gjimshiti dhe Ismajli në qendër, ndërsa në krahë Mitaj dhe Hysaj. Dy mbrojtësit anësorë do të kenë një rol të rëndësishëm edhe në fazën sulmuese, duke avancuar përpara kur Shqipëria të ketë zotërimin e topit.
Mesfusha pritet t’i besohet treshes Ramadani, Asllani dhe Laçi, ndërsa në repartin ofensiv, Muçi dhe Pilo do të luajnë pas Rey Manajt. Dy futbollistët vijnë në këtë përballje me një formë mjaft të mirë sportive, pas paraqitjeve dhe golave të rëndësishëm me skuadrat e tyre.

