"Rrymat e historisë nuk mund të ndalen", deklaroi të enjten presidenti kinez Xi Jinping, ndërsa bëri thirrje për "ribashkimin" e plotë të Tajvanit me Kinën kontinentale dhe u zotua se kjo do të arrihet në mënyrë paqësore, pa përmendur përdorimin e forcës. Kina e konsideron Tajvanin si territor të saj, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Tajpeit ndaj këtij pretendimi. Pekini ka propozuar vazhdimisht modelin e autonomisë "një shtet, dy sisteme", një propozim që nuk gjen mbështetje te asnjë parti kryesore politike në Tajvan. Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një "mision historik i palëkundur" i Partisë Komuniste të Kinës, tha Xi në një fjalim të mbajtur në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin. "Rryma e historisë nuk mund të ndalet," shtoi ai. "Ribashkimi i plotë i atdheut duhet të realizohet dhe, me siguri, do të realizohet."